Transmetuar më 16-01-2020, 14:20

Pas thirrjes për të adoptuar një banesë të dëmtuar rëndë nga tërmeti apo duke dhuruar ndihma për familjet në nevojë, këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, vendosi të rindërtonte nga e para shtëpinë e familjes Sala në fshatin Pinar.

Ditën e sotme gjashtë anëtarët e kësaj familjeje kanë hyrë në shtëpinë e tyre të re, çelësat e së cilës ua dorëzoi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe kushërira e Rita Orës, Amantia.

“Vetëm ideja që Rita ka njëqind koncerte e gjëra, por i vajti mendja dhe tha: Nuk i bëj dot të gjitha, por një shtëpi do ta bëj, një njeri do ta ndihmojmë”, tha Veliaj, duke kujtuar bisedën që pati me këngëtaren shqiptare ditët e para pas tërmetit.

Familja Sala falenderuan kryebashkiakun dhe këngëtaren Rita Ora për shtëpinë e re. E emocionuar, Edlira Sala tha se nuk kishte mundur që të sistemonte fëmijët e saj në një banesë të tillë.

Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se koha ka treguar që sa herë shqiptarët lënë pas sherret dhe bëhen bashkë, mund të bëjnë punë të mira.

“Për çfarë zihemi dhe urrehemi?! Kishim një vit, ziheshim të bënim një copë rrugë aty tek Astiri. Ore, ti po merr lekët, po të japim një shtëpi, po të kompensojmë që të bëjmë rrugën… Edhe për Teatrin pyes: Ore, për çfarë zihemi? Një ditë jemi, një ditë jo, vjen tërmeti e shuhet gjithçka. Nëse Zoti do na japë një çikë mend për t’u bërë pak më të mirë, pak më të dashur me njëri-tjetrin, mund të bëjmë më shumë punë. Por, kur vëmë pengesa e shkaktojmë sherre, s’kemi të ardhme”, tha Veliaj.

Lajmin se kishte vendosur të ndërtonte shtëpinë e familjes Sala, Rita Ora e dha në ditën e Flamurit, kur në mediat sociale shkroi: “Gëzuar Ditën e Flamurit Shqipëri! Ditëlindjen time dhe ditët e fundit i kam kaluar duke menduar se cila është gjëja e duhur që duhet të bëj. Familja e parë që kam zgjedhur është familja Sala dhe ne do ta ndjekim procesin në vijim, sepse ka kaq shumë familje që kanë nevojë për të njëjtën ndihmë”.