Transmetuar më 16-01-2020, 23:15

Senati amerikan ka nisur gjyqin kundër presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe dy artikuj për shkarkimin e tij janë lexuar me zë të lartë në sallë.

Leximi i akuzave ka hapur rrugën për një gjykim historik që do të zhvillohet për herë të tretë në historinë amerikane.

“Me sjelljen e tij dhe në kundërshtimin me betimin e tij kushtetues, Donald J.Trump ka abuzuar me fuqitë e tij si president”, ka thënë demokrati, Adam Schiff, i cili citohet nga REL dhe do të udhëheqë ekipin prej shtatë menaxherësh, të përzgjedhur nga Dhoma e Përfaqësuesve, të cilët do të veprojnë si prokurorë gjatë hetimit.

Senati do të ftojë shefin e Drejtësisë, John Roberts që të betohet si gjykatës kryesor i procesit.

Para tij më pas do të betohen edhe 100 senatorë që do të angazhohen si anëtarë të jurisë.

Muajin e kaluar, Dhoma e Përfaqësuesve ka akuzuar Trumpin për keqpërdorim të pozitës që ka dhe pengim të punës së Kongresit në marrëveshjet e tij me Ukrainën.

Trump mohon akuzat, derisa procesin e shkarkimit e ka konsideruar “mashtrim” dhe “gjueti shtrigash”.

Republikanët që drejtojnë Senatin pritet ta shfajësojnë Trumpin, po ashtu republikan, për çfarëdo keqbërje.

Sipas procedurave aktuale, gjyqi kundër Trumpit pritet të nisë më 21 janar.

Hetimet kanë nisur pas zbulimit të një bisede të 25 korrikut në mes të presidentit Trump dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy.

Një informator është ankuar duke pretenduar se Trump “ka përdorur pozitën e tij për të kërkuar ndihmë nga një shtet i huaj”, në prag të procesit zgjedhor për një mandat tjetër presidencial.