Transmetuar më 17-01-2020, 12:40
Qerim Ismailaj

Kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismailaj ka dorëzuar gjurmët e gishtërinjve në Policinë Shkencore, pas akuzave të Partisë Demokratike se ka fshehur dënimin në Greqi.

Në të njëjtën kohë, Prokuroria nëpërmjet njësisë së dekriminalizimit ka nisur një letërporosi në Greqi, ku kërkon marrjen e dosjes ku është vendosur dënimi në mungesë i Ismailaj.

Kujtojmë se gjurmët e gishtërinjve u kërkuan pak ditë më parë, pasi Prokuroria e Përgjithshme regjistroi procedimin penal ndaj Ismailaj.

Gjithçka pasi Partia Demokratike publikoi dokumentin e Prokurorisë greke ku thuhej se Ismailaj është dënuar në Greqi me 3 vite burg.

Sipas PD, kryebashkiaku i Mallakastrës është dënuar për kryerjen e veprimeve të dhunshme, plagosje (rrahje) dhe nuk e ka vuajtur dënimin për shkak të mosgjetjes në territorin grek.

Sipas ligjit të dekriminalizimit, pretendon PD, Qerim Ismailaj nuk mund të ushtrojë asnjë funskion publik, aq më pak të jetë kandidat për kryetar bashkie dhe se ai është subjekt ndalimi sipas ligjit dhe duhet menjëherë të procedohet penalisht për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit. /a.y/noa.al