Transmetuar më 23-01-2020, 07:49

Shqipëria do të mbetet edhe gjatë vitit 2020 në një monitorim të zgjeruar sa i takon riksut të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Qeveria shqiptare ka raportuar në Moneyval (një mekanizëm i Komisionit Europian që bën vlerësimin e riskut të pastrimit të parave) lidhur me masat që ka marrë gjatë vitit 2019 në kuadër të forcimit të luftës ndaj këtij fenomeni ka marrë vlerësime pozitive por është lënë sërish në mbikëqyrje. Në përgjigje masave që janë marrë sipas rekomandimeve që kishte lënë më herët Moneyval, në raportin e vitit 2018 thuhet se vendi ynë do të mbetet nën mbikëqyrje të zgjeruar edhe për 2020 dhe se do të pritet që të raportohet për zbatimin.

“Shqipëria do të mbetet në ndjekje apo monitorim të zgjeruar dhe do të vijojë të raportojë tek Moneyval në vazhdimësi për të forcuar zbatimin e masave kundër pastrimit të parave apo financimit të terrorizmit. Shqipëria pritet që të raportojë sërish në seancë brenda një viti”, thuhet në raport.

Në total sipas këtij të fundit Shqipëria ka bërë progres sa i takon adresimit të çështjeve delikate të identifikuara në raportin e fundit të Moneyval. Pothuajse të gjithë rekomandimet janë parë dhe ka pasur masa në kuadrin ligjor duke ndryshuar edhe vlerësimet në shkallët e riskut ndërkohë që do të duhet të shihet zbatimi i tyre dhe efektet për ta nxjerrë ndoshta Shqipërinë nga ndjekja e zgjeruar.

Në vitin 2019 u morën masa për ndryshimin e kuadrit ligjor duke e përafruar atë me direktivat si dhe duke parashikuar riskun e pastrimit të parave në të gjitha hallkat. Në këtë kontekst ndërhyrje pati në kuadrin rregullator të Bankës së Shqipërisë, Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave. U ndryshuan aspekte që kishin të bënin me aksionerët e kompanive në parajsat fiskale, aktivitetet e organizatave jofitimprurëse apo mënyrat e raportimit.

Historiku i Shqipërisë më Moneyval, çfarë ndodhi në 2018

Në vitin 2011, Shqipëria u fut nga Moneyval, mekanizimi i Komisionit Europian, që bën vlerësimin e Shqipërisë për masat kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, në listën gri të vendeve me rrezik të lartë të pastrimit të parave (raporti i klasifikon vendet me potencial të lartë të pastrimit të parave në listë të zezë dhe gri). Më pas, në 2015-n, Shqipëria do të dilte nga lista gri, një vlerësim ky që në atë kohë ishte mjaft pozitiv. Vendi kishte pesë vjet kohë që të adresonte problemet për të dalë përfundimisht nga zona e rrezikut.

Por, në raportin e 2018-s, Shqipëria hyri në listën e vendeve që do t’i nënshtroheshin një ndjekjeje apo monitorimi të zgjeruar nga ana e Moneyval për shkak të dobësive që u konstatuan në raportin e fundit të lidhur me masat ndaj parandalimit të pastrimit të parave dhe luftës kundër terrorizmit. Një fjali e kaluar pa shumë vëmendje duket se përçoi pikërisht këtë mesazh kur thekson se “bazuar në rezultatet e vlerësimit të tij Moneyval vendosi që të aplikojë procedurën e ndjekjes së zgjeruar në Shqipëri”.

Sipas konkluzioneve të raportit, “korrupsioni paraqet rreziqe të mëdha të pastrimit të parave në Shqipëri. I lidhur shpesh me aktivitetet e krimit të organizuar, ai gjeneron sasi të konsiderueshme të të ardhurave kriminale dhe seriozisht dëmton funksionimin efektiv të sistemit të drejtësisë penale. Autoritetet janë të vetëdijshëm për rreziqet nga korrupsioni, por zbatimi i ligjit deri më tani ka pasur një vëmendje të kufizuar për të shënjestruar korrupsionin e lidhura me pastrimin e parave. Një reformë e rëndësishme gjyqësore është duke u zbatuar për të adresuar më mirë rrezikun e korrupsionit që mbizotëron në vend”. Raporti thekson se të ardhurat nga krimi po qarkullojnë dhe investohen në disa forma në Shqipëri, për shembull përmes investimeve në pasuritë e paluajtshme dhe kompanive tregtare. Niveli i lartë i ekonomisë informale, e kombinuar me përhapjen e lartë të cash, përbën një rrezik për pastrim parash. Ndërtimi ishte sektori më me risk për pastrimin e parave, sipas raportit që u publikua në dhjetor 2018.

Shqipëria kishte një vit kohë që të adresonte problemet, ose në një hap pas rrezikonte të hynte sërish në listën gri të vendeve që kanë rrezik të lartë të pastrimit të parave. Por duket se masat e marra kanë qenë të mjaftueshme për të mos e kaluar në këtë listë por sërish e kanë lënë atë nën monitorim, shkruan ‘monitor’.

Por çfarë është në fakt një ndjekje apo monitorim i zgjeruar? Në sistemin e Moneyval “enhanced follow up – ndjekje e zgjeruar” shpjegohet si një nga tre procedurat që vlerësojnë masat e marra nga autoritetet sipas standardeve dhe rekomandimeve të Task Forcës për Vlerësim Financiar(FAFT) kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit.

“Territoret apo shtetet mund të vihen nën ndjekje të zgjeruar në rast se identifikohet papajtueshmëri serioze me standardet apo ku shtete apo territore nuk kanë marrë masa të kënaqshme për të dalë jashtë sistemit 5 vjeçar të vlerësimit të rregullt pas miratimit të raportit. Hapa të ndryshëm mund të aplikohen nën monitorimin e zgjeruar siç mund të jetë aplikimi i një prej hapave të “Procedurës së Pajtueshmërisë”, një plan veprimi që mund të zhvillohet dhe nxjerr në pah dobësitë mund të vijojë vlerësimi për raundin në vijim ose masa të tjera pajtueshmëria mund të aplikohen nëse e gjykon me vend Komisioni Europian.