Transmetuar më 23-01-2020, 13:00

Debate janë regjistruar në Komisionin Parlamentar të Medias, gjatë shqyrtimit të dy ligjeve të AMA dhe AKEP, quajtur ndryshe si “paketa Antishpifje”, kthyer mbrapsht nga presidenti Meta dhe dërguar nga KiE në Komisionin e Venecias për mendim.

Në mbledhjen e sotme, ka pasur replika mes ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe kyetares së Komisionit, Fatjona Dhimitri.

Në kohën që ministrja jepte detaje lidhur me paketën antishpifje dhe pse dekreti i presidentit duhet të rrëzohet, kryetarja e Komisionit i ka tërhequr vëmendjen, duke i kujtuar se po gënjen, pasi sipas tij, KiE e tha qartë se nuk janë marrë parasysh sugjerimet e bëra.

“Nuk jam as në prokurori. Nëse doni të dini qëndrimin e qeverisë unë mund të vazhdoj, nëse nuk doni, e ndërpres”- ka thënë Gjonaj.

I pranishëm në komision është edhe këshilltari ligjor i Presidentit, Bledar Dervishaj, i cili u shpreh se disa dispozita të kësaj pakete bien në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe mbrojtjen e të drejtës së lirisë së shprehjes, duke përbërë rrezik për interesin publik.

“Një pjesë e dispozitave të ligjit, hap me tendencë pozitive. Presidenti vlerëson ndryshimet e ligjit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Konstatohet se disa dispozita bien në kundërshtim me parimet kushtetuese, sigurinë juridike, mbrojtjen e të drejtës së lirisë së shprehjes dhe shtypit. E nevojshme që dispozitat të rishikohen, pasi përbëjnë rrezik të interesit publik.

Këto dispozita përmbajnë elemente të censurës. U jepet fuqi për masa ndëshkuese para se të ketë një vendim të formës së prerë. Masat ndëshkuese krijojnë hapësira që të aplikohen ndaj mediave online që janë kritike me qeverinë apo nuk i përshtaten vullnetit të saj. Një situate e tillë do e vendoste vendin në kufijtë e autoritarizmit dhe do ndikonte në procesin e integrimit europian. Ligji nuk sjell rregullimin e pritshëm”, tha Dervishaj.

Ndërkohë, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, deklaroi se mazhoranca i qëndron kërkesës për rrëzimin e dekretit të Presidentit.

“I qëndrojmë argumentet tona për pasojat që tregu i parregulluar ka sjellë. I qëndrojmë kërkesës për rrëzim të dekretit të presidentit. Qëllimi i paketës anti-shpifje, vendosja e rregullave për të parandaluar cenimin e dinjitetit të njeriut, të drejtat e fëmijëve përmes një procesi të shpejtë administrativ dhe efikas.

Një sërë vende si Gjermania apo Kroacia, kanë miratuar paketa më të ashpra anti-shpifje, duke njohur shpifjen si vepër penale. Ligji ka të bëjë me rregullimin e tregut të gazetarëve. Në përgatitjen e paketës kemi punuar me OSBE e Këshillin e Europës”, theksoi Gjonaj./b.l/noa.al/