Transmetuar më 23-01-2020, 14:26

“Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për aferën DH Albania, të vjedhjes dhe pastrimit të 28 milionë eurove, me anë të një kompanie fantazmë”.

Kështu deklaroi ish-deputeti demokrat Agron Shehaj, i cili tha se në mënyrë kriminale, Prokuroria ka rrëzuar akuzat për korrupsion, për shpërdorim detyre dhe pastrim parash.

Ai tha se ajo ka dërguar në gjykatë vetëm akuzën qesharake për fallsifikim dokumentash, akuzë e cila dënohet vetëm me gjobë ose disa muaj burg.

“Asnjë zyrtar shtetëror nuk është akuzuar. Asnjë. Zero. Prokuroria ka nxjerrë përfundimin se gjithçka ka qenë vepër e një 26 vjeçari, që ka vepruar i vetëm, pa asnjë bashkëpunëtor. Prokuroria pretendon se 26 vjeçari ka mashtruar; Ministrinë e Transportit dhe Energjetikës, Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, dhe OST-ne, duke fituar dy tendera prej 28 milionë euro. Sipas prokurorisë, ky 26 vjeçar ka negociuar për javë të tëra dy kontrata të sofistikuara teknike, me dhjetëra specialistë, drejtues dhe funksionarë të shtetit, dhe ata nuk kanë kuptuar asgjë”, u shpreh Shehaj.

Ai shtoi se ky është një nga përfundimet më qesharake dhe më skandaloze, në historinë e Prokurorisë Shqiptare.

Sipas tij, mbyllja e aferës DH Albania, pa ndëshkimin e asnjë zyrtari, tregon qartazi që Edi Rama ka urdhëruar prokurorinë për mbylljen e dosjes.

Po ashtu tha se Edi Rama dhe Damian Gjiknuri dhe jo 26-vjeçari, janë krerët drejtuesit, dhe përfituesit e kësaj afere korruptive.

“DH Albania ishte mekanizmi i Ramës dhe Gjiknurit për të vjedhur dhe për t’i pastruar ne SHBA dhjetëra milionë euro nga taksat e shqiptarëve. Varrosja e çështjes nga prokuroria dëshmon se Edi Rama e ka kapur drejtësinë, e cila sot është garancia kryesore e korrupsionit dhe krimit shtetëror. Afera DH Albania tregon që këtu sundon korrupsioni dhe pandëshkueshmëria, që këtu nuk ka vend për njerëzit punëtorë dhe të ndershëm”, deklaroi Shehaj.

Në vijim tha se në Shqipëri nuk ka investime të huaja, sepse këtu çdo gjë është kapur nga një grusht biznesmenësh grabitqarë, që për të ruajtur pozitën e tyre, ndalojnë hyrjen në treg te çdo kujt tjetër dhe se kjo aleancë politikanë-oligarkë mban peng zhvillimin e Shqipërisë, duke varrosur çdo mundësi që shqiptarët të krijojnë, ndërtojnë dhe gëzojnë frutet e punës dhe të talentit të tyre.

Sipas tij, kjo aleancë politikanë-oligarkë e ka kriminalizuar ekonominë duke mos lënë asnjë mundësi për biznesin e ndershëm dhe se kjo aleancë politikanë-oligarki ka varrosur çdo hapësirë lirie në ekonomi dhe politikë.

Ai tha në mbyllje se pa ndëshkuar korrupsionin në Shqipëri nuk do ketë investime të huaja, zhvillim ekonomik dhe vende të reja pune. /a.y/noa.al