Transmetuar më 26-01-2020, 17:21

Fundjava ishte përmendur nga lideri i LDK-së Isa Mustafa si afati i fundit për t’u arritur një marrëveshje me Lëvizjen Vëtëvendosje, për arritjen e koalicionit qeveritar.

Në të kundërt, u paraljmërua se do të shpallej i dështuar procesi i negociatave, çka do të sillte ndoshta nevojën e zgjedhjeve të reja, pasi asnjë nga partisë nuk i ka numrat e nevojshëm në Kuvendin e ri, për të qeverisuar e vetme.

Por kur afati po skadon, syrtarët e të dyja partive politike kanë zgjedhur heshtjen.

Ndërsa nuk ka pasur asnjë takim ndërmjet tyre zyrtar, deri tani.

Ndonëse jo zyrtarisht mediat kanë raportuar të ketë pasur një takim të premten në mbrëmje deri në orët e para të së shtunës në shtëpinë e kreut të LDK-së Isa Mustafa, megjithatë një gjë e tillë nuk është pohuar e as mohuar nga zyrtarët e partive.

“Nuk kam asnjë informacion”, është përgjigja nga zyrtarët e LVV-së të pyetur nga nëse ka pasur takime të tilla.

“E rëndësishme është që është që të arrihet një marrëveshje dhe është mirë që këto 2-3 ditë të kemi lajme të mira për vendin”, deklaroi Vjosa Osmani, nënkryetare e LDK.

Oferta e fundit që ka ardhur nga radhët e LDK-së, ishte ndarja e barabartë e ministrive dhe kryeparlamentari t’i takoj LDK-së deri në zgjedhjen e presidentit.

Kjo ofertë është refuzuar nga LVV, duke thënë se posti i kryeparlamentarit është i paprekshëm dhe se Glauk Konjufca është i denjë për ta përfaqësuar atë pozitë.

Albin Kurti ka kohë edhe 9 ditë në bazë të afateve kushtetuese që të siguroj shumicën parlamentare për të formuar qeverinë e re. Në të kundërt, Presidenti Thaçi do të mandatojë kreun e partisë së dytë më të votuar në Kosovë dhe nëse qeveria e re nuk formohet sërish, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja./NOA.al