Transmetuar më 07-02-2020, 23:59

Ky është një rrëfim i papublikuar në media të shkruar, në vetën e parë, i Nexhmije Pagarushës, në një dokumentar të shumë viteve më parë, që RTSH e transmetoi sot në mënyrë të përmbledhur në nderim të figurës së saj.

“Jam e lumtur që kam pasur një baba, i cili më ka mbështetur dhe që më lejoi të merrem e të shprehem me artin shqiuptar. Nuk mund ti përshkuaj momentet kur kam dalë për herë të parë në skenë. Jam mbështet mbi ndjenjat e mia, si ta interpretoj këngën shqipe, sepse më ka dalë nga shpirti e zemra. Kur u ktheva nga Beogradi u punësova në radio, në diskotekë, ku pata mundësi fshehtas të dëgjoja Vaçe Zelën, Avni Mulën etj. U largova nga diskoteka dhe u punësova si soliste në Radio-Prishtina. Dalja ime dukej e sigurtë në skenë, por as vetë s’e dija pse dukesha ashtu, ndërsa unë kisha shumë emocione. Ka qenë një fuqi brenda meje që unë kurrë se kam ditur. Mjaft këngë kanë qenë përpunime, të cilat kanë vlera e do mbeten të pavdekshme. Rexhën e pashë për herë të parë duke luajtur me piano. Fillimish me vështrime e më pas në dashuri. Rexho ka bërë shumë për mua sepse më ka njohur mirë si vokal. Ndonjëherë i dukesha si instrument dhe i thoja se s’po mundem, por ai buzqeshte dhe thoshte se ti mundesh me I’a dalë. Në disa këngë kam provuar atë më që ka falë zoti zërin tim si “Baresha” e të tjera, që munda me treguar të gjithë vokalin tim. E kam dashur gjithnjë muzikën klasike. Kam kënduar disa këngë të përkthyera shqip e është mirë që publiku ta dijë tekstin e këngëve. Para se të dilja në skenë s’kisha qejf me folë me askënd. Koncerti me muzik klasike nuk është regjistruar me sallë plot. Ishte një aktivitet muzikor (Akordet e Kosovës).  Çdo gjë ishte serioze dhe askush nuk luftonte për famë. Në Berlin na çuan në kohë të Jugosllavisë se kështu ishte organizimi. Ka qenë një paraqitje e rëndë dhe e frikshme, kur u largua orkestra sinfonike dhe dolëm ne 7 vetë. U tmerrova. Këndova „Bareshën“. Publiku u paralizua dhe pas pak sekondash heshtje, shpërtheu. Ishte një sukses shumë i madh. Interpretimet e mia më të mira kanë qenë në Shqipëri. Më kanë pritur në mënyrë mahnitëse.  Në Tiranë mbrëmja muzikore në 1970 ka qenë një mrekulli. Isha e ftuar. Kisha emocione të jashtëzakonshme sepse isha në skenë me këngëtarë të mrekullueshëm shqiptarë, virtuozë, magjikë. Isha e parafundit. Nuk mundem me i shprehë të gjitha emocionet, pasi e gjithë salla më ka duartrokit gjatë. Jam pritur në mënyrë të mrekullueshme. Kur dëgjova „Traviatën“ në TOB kam qarë gjithë kohës. Edhe kur pashë koncertim e Ansamblit kam qarë. Emocion i mrekulleshëm. Një herë nuk doja të këndoja këngën e Rexhës (Çohu Rexh). Takova Avni Mulën dhe ai më tha mos ik pa e kënduar. E interpretova në mënyrën time. Kam provuar me vite deri kur mora guximin që këngën e Rexhës ta ngjit në skenë. Kam qenë e ndjeshme në 2 gjëra: e para me na prek kush si komb dhe e dyta më bën nervoz shumë mungesa e korrektesës me kohën dhe orarin. Kam qenë korrekte gjithmonë. Nervozohem shumë kur më bie të pres ndokënd. Ndërsa vonesat në koncerte janë tragjedi. Në Ohër ishte një orekestër sinfonike dhe dirigjenti ishte një maqedonas. Nga fillimi e pashë që vetëm kur përmendej emri i tij duartrokitej. Dola në skenë me këngën “Me një lule’. Prej gjithë Jugosllavisë më shkruanin e më pyesin se ku mundeshin ta gjenin këngën. Kam pasur përgjegjësi të madhe se kam përfaqësuar një komb – një popull".

Çfarë kanë thënë për Pagarushën

VAÇE ZELA- Nexhmija filloi të këndojë. Zëri i saj ishte shumë i bukur. Me një lirizëm të ëmbël, herë- herë thurur me një epizëm të thellë. Forca e saj interpretuese ishte e madhe, spektatori duartrokiste edhe për gjestet e saj. Aq me emocion këndonte.

Shpresa Gashi, këngëtare – Ajo ishte dielli që rrezatonte kudo dhe kurdoherë. Ajo ka pasur kulturë skenike të spikatur. Kjo e bënte mjeshtre të këngës. Atëhere isha shumë e re kur ishim me Nexhmijen me koncert në Ankara dhe ajo u prit me ovacione shumë të mëdha.

LILIANA CAVOLLI, këngëtare– Ajo është një legjendë nga e cila kanë mundur të mësojnë shumë gjenerata. Edhe kur këngët nuk ishin cilësore, ajo i bënte të mrekullueshme me zërin e saj.

Prof. ENGJELL BERISHA – Emri i Pagarushës është mjafti i njohur në fushën e artit muzikor si këngëtare me nam. Shkrimtari i njohur Ramiz Kelmendi e ka cilësuar si ambasadore të këngës popullore, jo vetëm në trevat shqiptare, por edhe jashtë saj. Nuk ka qenë e lehtë për femrat e viteve të këndonin publikisht në Kosovë. Babai i Nexhmijes ndoqi atë rrugë që kishte ndjekur më parë babai i Tefta Tashko Koços, ose babai i Marie Krajës. Falë Nexhmijes shumë këngë janë ruajtur. Ajo ka bërë atë që në Shqipëri kanë bërë me Luçie Milotin, Fitnete Rexhën, Naile Hoxhën.

ROBERT RADOJA –  Ka një ngrohtësi të veçantë të zërit, si dhe në mënyrën e interpretimit. Te aktiviteti Akordet Muzikore që u shfaq në Tiranë kam dëgjuar për herë të parë Nexhmijen me një zë brilant, të cilin s‘do mundem ta harroj kurrë. Portreti i saj më ka mbetur në mëndje dhe në shpirt.

ZHANI CIKO– Arti popullor ka nevojë për interpretë të mëdhenj që t‘ua kalojnë këngët si trashëgimi brezave. Më mirë se kusdo këtë e ka bërë Nexhmija. Në vitin 1970 Pagarusha vjen në Tiranë në sallën e TOB ka dhanë një koncert. Mbresat kanë qenë drithëruese

GJERGJ KAÇINARI- Ka një regjistër unikal të papërsëritshëm e të pangjashëm. Ka qenë e përkushtuar për këngën. Jetonte dhe dashuronte këngën.

MARGARITA XHEPA- Zëri i saj e ka ngritur shumë këngën shqiptare. Ka gurgulluar i gjithë opioni me fjalë zemre, që ka mbetur një personalitet në fushën e muzikës, një legjendë dhe ikonë, e cila ka dhënë kënaqësi të jashtëzakonshme.