Transmetuar më 12-02-2020, 20:08

Partizani i thotë lamtumirë Kupës së Shqipërisë. Të kuqtë nuk shkuan më shumë se një fitore 3-1 përballë Besëlidhjes në “Elbasan Arena”, me lezhjanët që kishin fituar 3-0 në ndeshjen e parë.

“Të kuqtë” kishin ftuar tifozët të ishin të shumtë në numër, për të provuar përmbysjen, por Hajdari shënoi për lezhjanët që në minutën e 5-të dhe komplikoi gjithçka.

Nga humbja e kaluar 3-0, për kalimin në çerekfinale tashmë kryeqytetasve u duheshin 5 gola.

Bruno Telushi ishte i vetmi që nuk u dorëzua për asnjë moment dhe arriti të shënojë tre herë në portën e lezhjanëve, duke i dhënë fitoren partizanit 3-1, por kjo fitore nuk iu shërbeu “të kuqve” për të kaluar në çerekfinale.

Edhe Laçi tentoi përmbysjen ndaj Bylisit, pasi në Ballsh vendasit kishin fituar 2-0, por ndonëse i shkuan shumë pranë, të besuarit e Cungut nuk ia dolën të bëjnë mrekullinë, ndonëse për një çast i shkuan shumë pranë kualifikimit.

Laçi kaloi në avantazh me anë të Bedri Grecës në 18’ , ndërsa në 51′, një penallti e akorduar në favor të kurbinasve, u shndërrua në gol nga sulmuesi kryesor Kyrian Nwabueze.

Me avantazhin e dy golave, Laçi kishte barazuar gjithçka dhe nisi të shohë përpara për të gjetur rrjetën sërish e për të siguruar kualifikimin, ndërsa Greca shpërdoroi një vertikalizim të mirë, që e nxori para portierit Hidi.

Megjithatë situata u përmbys në minutën e 59’, kur Mozzone u ndal me faull në zonë nga një lojtar i Laçit dhe arbitri Eldorjan Hamiti akordoi 11-metërsh për ballshiotët, të cilin e shndërroi në gol Isli Hidi.

Bylis pak minuta më vonë gjeti edhe golin e barazimit me anë të sulmuesit Guindo. Në minutat shtesë ishte Redon Xhixha që shënoi golin e fitores për Laçin, që gjithsesi kishte vetëm vlera statistikore.

Pas fitores në Krujë 1-3, Tirana mori një tjetër sukses sot përballë Kastriotit, të cilin e mposhti në stadiumin “Selman Stërmasi” me rezultatin e thellë 4-0.

Ndonëse me shumë lojtarë të rinj në fushë, bardheblutë shënuan nga dy gola për çdo pjesë, me Halilin, Beshirajn, Morinën e Krajën, ndërsa krutanët luajtën për shumë minuta me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të marrë nga Taulant Sefgjinaj.

Siguroi pa problem kualifikimin edhe Kukësi, që pasi kishte triumfuar 0-1 në Lushnjë përballë myzeqarëve. Kukësi mori një fitore me rezultatin e thellë 3-0. Rroca zhbllokoi shifrat në pjesën e dytë, ndërsa më pas ishte radha e sulmuesit 22-vjeçar Godberg Cooper që të debutonte me një dopietë.

Kaloi në çerekfinale edhe Vllaznia, që pas barazimit 2-2 në “Loro Boriçi” ndaj Flamurtarit, arriti të triumfojë me shifrat 0-2 sot në Vlorë, falë një dopiete të shënuar nga sulmuesi brazilian Silvio Junior.

Teuta mposhti Erzenin me përmbysje me shifrat 3-1, Skënderbeu triumfoi me rezultatin minimal 1-0 ndaj Besës, ndërsa Luftëtari nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola në Gjirokastër.

Rezultatet e fazës së 1/8-ave të Kupës së Shqipërisë

Flamurtari – Vllaznia        0-2 (0-0)

Tirana – Kastrioti               4-0 (3-1)

Kukësi – Lushnja               3-0 (1-0)

Laçi – Bylis                            3-2 (0-2)

Luftëtari – Apolonia         0-0 (0-3)

Partizani – Besëlidhja      3-1 (0-3)

Skënderbeu – Besa          1-0 (2-0)

Teuta – Erzeni                    3-1 (3-1)