Transmetuar më 17-02-2020, 09:20
Bicikletat dhe sendet e perdorura per vjedhje

Një person i dyshuar për një seri vjedhjesh të biçikletave, është vënë në prangat e policisë.

Efektivët e komisariatit nr.1 Tiranë, nisur nga shqetësimet e qytetarëve në lidhje me vjedhjet e biçikletave, të ndodhura kohët e fundit në juridiksionin e këtij komisariati, organizuan punën për gjetjen e përgjegjësit.

Kështu gjatë kësaj të diele u kap në flagrancë duke tentuar të vjedhë një biçikletë, L. Ç., 39 vjeç, banues në Shkozë, Tiranë i dënuar më parë për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit në rrethana rënduese.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera rezulton se 39-vjeçari është autor edhe i dy rasteve të tjera të vjedhjeve të biçikletave, të ndodhura në juridiksionin e komisariatit të policisë Nr. 1.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: tri biçikleta të vjedhura, praktika noteriale për shitjen e biçikletave të vjedhura; pajisje të përdorura për realizimin e vjedhjeve, si dhe pjesë biçikletash të vjedhura.

Ndërkohë, vijon puna, në bashkëpunim me Prokurorinë, për dokumentimin edhe të disa rasteve të tjera të vjedhjes së biçikletave.

Ndaj 39-vjeçarit materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale “Vjedhja, e kryer më shumë se një herë”. /a.y/noa.al