Transmetuar më 17-02-2020, 12:28

Një tjetër episod dhune dhe diskriminimi vjen nga India. Kësaj radhe viktimat janë 68 nxënëse të një shkolle të mesme, të drejtuar nga sekti hindu Swaminarayan, në shtetin e Gujarat, të cilat u çuan me forcë në banjat e kolegjit dhe u detyruan që të zhvishen në zonën intime për të treguar se nuk ishin me cikël, pasi në disa zona të Indisë diçka e tillë cilësohet tabu.

Nxënëset treguan për BBC se nisma u mor nga drejtori i shkollës në qytetin e Bhuj, sipas të cilit vajzat kanë shkelur rregulloren anti-cikël të institutit.

Sipas rregullave absurde të vendosura nga Shree Sahajanand Girls Institute, gjatë periudhës së ciklit, vajzat nuk mund të hyjnë as në tempull, as në kuzhinë dhe mbi të gjitha nuk duhet të prekin nxënëset e tjera.

Jo vetëm kaq, por në klasë duhet të ulen në bangon e fundit, në mencë duhet të hanë vetëm dhe të lajnë pjatat që kanë përdorur. Si të mos mjaftonte kaq, në klasë ka një regjistër ku secila duhet të shkruajë ditën e parë dhe të fundit të ciklit.

Por në dy muajt e fundit asnjëra nga vajzat nuk e kishte deklaruar ditën, duke bërë që drejtuesit e shkollës të ndërmarrin veprmin ekspres.

Njëra nga vajzat thotë se, “është një eksperiencë shumë e dhimbshme, një torturë mendore, jemi në shok”.

Ato shprehen se marrin presione nga drejtuesit e shkollës që të mos denoncojnë, shkruan noa.al.

Mirëpo këto rregulla bien ndesh me një vendim historik të dy viteve më parë nga Gjykata e Lartë, e cila vendosi që të gjitha vajzat dhe gratë në moshë pjellore, të kenë mundësi të hyjnë në tempullin e Sabarimala, në Kerala, një prej vendeve më të shenjta të hinduizmit. /a.y/noa.al