Transmetuar më 17-02-2020, 14:29

Dalin pamjet e momentit të grabitjes së argjendarisë “Diamant” në Elbasan, ku 27-vjeçari nga Durrësi, Astrit Thaçi, hyri i armatosur, u përball me pronaren dhe teksa u interesua si blerës fillimisht, më tej nxori pistoletën.

Astrit Thaçi, me një kapele në kokë hyri si klient tek argjendaria ‘Diamant’, pronë e Antoneta Balla, ai kërkoi një unazë dhe byzylyk dhe teksa Balla i nxirrte unazat dhe byzylykët për t’i provuar, nxori një pistoletë duke e kërcënuar.

Në këtë moment Balla i rrëmbeu armën dhe doli nga dyqani, siç mund të shihni në video.

Mirëpo mënyra se si e zonja e argjendarisë i mori armën, e tregon si grabitës amator.

Teksa ndodhte kjo, Thaçi u çorodit dhe në panik rrëmbeu çfarë sendesh të florinjta kishte nxjerrë gruaja mbi banak dhe u zhduk me vrap.

Arrestimi i tij u bë pak orë pas ngjarjes, në Tiranë, ndërsa u zbuluan edhe shtatë grabitje të tjera ku rezulton i përfshirë.

Sakaq paraditen e djeshme mbi bazën e provave të siguruara nga policia e Durrësit, u vu në pranga 20-vjeçarja A. B., banuese në Tiranë, e cila dyshohet se është e dashura e 27-vjeçarit Thaçi.

E reja e cila rezulton e dashura e tij, dyshohet se e ka përkrahur Astrit Thaçin, duke i dhënë ndihmë për të mos u kapur nga forcat e policisë.

27-vjeçari Thaçi, rezulton me precedent penal, i dënuar më parë 7 vite në Itali, për vjedhje me armë.

Ndërkohë mbrëmjen e djeshme u vu në pranga F. S., 26 vjeç, banues në Tiranë, i cili akuzohet ka blerë katër byzylykë floriri nga Astrit Thaçi, të cilët ky i fundit i kishte vjedhur. /a.y/noa.al

Arrestohet blerësi i arit të grabitur në argjendarinë "Diamant"

Ndihmonte grabitësin Astrit Thaçi, arrestohet bashkëpunëtorja e tij

Grabitësi i argjendarisë, i dënuar në Itali/ Policia liston ngjarjet ku është përfshirë

Grabitja në Elbasan, si ia rrëmbeu armën autorit, pronarja e argjendarisë

Maska me armë grabit argjendarinë pranë policisë së Elbasanit