Transmetuar më 19-02-2020, 11:08

Në fushatën e re elektorale që Edi Rama ka hyrë tashmë, nuk ka asnjë element surprizë.

Ai thotë "nuk ka më të mirë se unë", me idenë që të thithë në këtë vorbull propagande Bashën dhe të tjerët të provojnë veten nëse janë më të mirë apo jo.

Në këtë grackë ka rënë disi edhe opozita,e cila ngjan si aleancë "kështjellash" në distancë e jo si njësi e organizuar e bashkrenduar dhe mbi të gjitha e vendosur për një betejë finale.

Pa dyshim në këtë konfiguracion Edi Rama luan mjeshtërisht. Jep gjithmonë idenë se "e ka rregulluar" muhabetin me kështjellën ngjitur. Qëllimi është demoralizimi i aleancës, pra përçarja.

PËRÇARJA e opozitës pra është qëllimi. Ky është ÇELËSI i suksesit politik të Edi Ramës.

Në këto kushte, nuk ka shumë shpikje për të bërë. Opozita duhet të dalë nga "kështjellat" dhe të mbushë rrugët se mllefi i njerëzve me qeverinë më të keqe të 30 viteve po ju kthehet në dëm, kur duhet të ishte avantazh.

Kjo është kohë bashkimi jo thjesht aleancë kështjellash. Duhet një bashkim i madh jo vetëm me miqtë, por edhe me "armiqtë" dmth kundërshtarët apo opozitarët e opozitës. Me të gjithë, të mërzitur, të larguar apo të përzënë. Me personalitete jo politike dhe bisnesmenë.

Me të gjithë ata që e rrefuzojnë këtë qeveri.

E përsëris jo vetëm me parti e miq, por edhe me individë, parti e grupime "armiqsh". Nuk përjashtohen nga kjo llogjikë as ato që morën mandatet e opozitës. Edhe ata duhen ftuar jo për tu kërkuar ndjesë, por kontribut.

Të gjithë ata që kanë në mendjen e tyre nevojën për të shpëtuar sistemin demokratik, duhet të jenë në këtë front të madh.

Opozita zyrtare duhet të tejkalojë veten dhe të ftojë e t’i afrojë të gjithë në një front jo ideologjik, por historik.

Luli e Monika, por edhe Berisha e Meta duhet të kuptojnë se janë vetëm emra kalimtarë dhe se karrierat e tyre politike nuk kanë asnjë rëndësi përpara nevojës uleritëse për DEMOKRACI, SHTET jo politik dhe LIRI EKONOMIKE.

Asnjëri nga këto emra nuk e do më shumë demokracinë dhe Shqipërinë se fjala vjen Jozefina Topalli, Arben Imami, Genc Ruli, Astrit Patozi etj. Asnjëri nga të gjithë këto emra nuk e do demokracinë e Shqipërinë më shumë se Fatos Lubonja apo djemtë e Thurjes e të tjerë pa fund që nuk janë anëtarë të partive të opozitës, por rrefuzojnë autokratin arrogant.

Qëllimi është në ndalet rregjimi më autokrakik i kohës, jo kush do jetë kryeministri i radhës.

Një mandat tjetër i panatyrshëm i Edi Ramës do të thotë edhe formalisht diktaturë. Asnjë shanc për sistem demokratik më!

Bashkimi bën fuqinë!