Transmetuar më 21-02-2020, 23:22

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e sheh Kosovën shumë pranë arritjes së marrëveshjes me Serbinë.

Thaçi tha për “BBC” se nëse çështjet nuk sqarohen as këtë vit, atëherë nuk do të ndodhë as për dekada të tëra.

“Nëse diçka ka për të ndodhur në negociata me Serbinë, do të ndodhë këtë vit. Nëse nuk ndodh gjatë këtij viti, kam frikë që do të humbim dekadat e tëra. Nuk mendoj se mund ta fitojmë prapë vëmendjen e presidentit Trump, të SHBA-së dhe ekipit të tij”.

Sipas tij, janë bërë shumë hapa përpara dhe duhet shfrytëzuar diçka e tillë,

“Ky kthim i vëmendjes së SHBA-së drejt rajonit tonë është bekim nga zoti për Kosovën, por edhe për Serbinë – ne duhet ta shfrytëzojmë këtë”.

“Kurrë s’kemi qenë më afër marrëveshjes”, shtoi si, “sepse shumë procese të tjera janë përfunduar – Kosova është e lirë dhe e pavarur, kurse Serbia di për pavarësinë e Kosovës”.

Kreu i shtetit të Kosovës marrëveshjen e sheh edhe nga vullneti që do të ketë kryeministri aktual, Albin Kurti.

“Në të njëjtën kohë, jemi shumë larg – shumë do të varet nga liderët e të dy vendeve, a do të investojnë në të ardhmen apo do të mbesin peng i së kaluarës. Nëse e humbim këtë mundësi, do të qajmë para dyerve të Brukselit, por kjo nuk do ta shqetësojë askënd e as nuk do t’i interesojë askujt”, i shpreh Thaçi./NOA.al