Transmetuar më 25-02-2020, 19:43

Dezinfektuesit për duart tashmë vështirë se mund të gjenden dhe në rastet kur gjenden çmimet janë shtrenjtuar disafish. Për këtë arsye në rrjetet sociale po qarkullojnë disa receta se si mund të përgatiten në shtëpi.

Por mbi të gjitha për të parandaluar prekjen nga koronavirusi këshillohet larja e shpeshtë e duarve me ujë dhe sapun për rreth 20 sekonda, për të marrë të njëjtin efekt si me dezinfektues dhe veçanërisht me pastrimin nën thonj.

Nëse nuk keni mundësinë për të larë duart, dezinfektuesit më të mirë janë ato të bazuara në hipoklorit të natriumit. Produktet me bazë klori janë dezinfektues efektivë, posaçërisht për sipërfaqet. Për të dezinfektuar sipërfaqet, nga frika e përhapjes së virusit, atëherë pastruesit që normalisht blihen në supermarket janë shumë të mirë.

Por si mund të përgatisni një dezinfektues të bërë në shtëpi nëse me të vërtetë nuk keni mundësi për të larë duart dhe nëse nuk ka më në treg? Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon produkte të bazuara në alkool etilik ose alkool izopropil.

Eksperimentet tregojnë se alkooli etilik është shumë efektiv për dezinfektimin e lëkurës në disa sekonda për sa kohë që duart janë të pastra dhe se përqendrimi i alkoolit në të është mes 60% dhe 80% përafërsisht, shkruan noa.al.

Receta, e rekomanduar nga OBSH, për të përftuar një litër produkt është sasia e mëposhtme e përzier:

833 ml 96% alkool etilik

42 ml peroksid hidrogjeni 3%

15 ml glicerinë 98% (glicerinë)

Ujë i distiluar ose i zier dhe i ftohur sa duhet , në sasinë për të përftuar 1 litër. /a.y/noa.al