Transmetuar më 26-02-2020, 13:34

Vjetar Alushi, 45-vjeçari që humbi jetën në Sanatorium nuk ka asnjë lidhje me koronavirusin. Këtë e konfirmoi Zv/ ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, e cila tha se vuante nga pneumonia bilaterale.

"Pacienti ka humbur jetën si rezultat nga një pneumoni që është konstatuar se ka qenë i prekur edhe nga gripi stinor. Nuk ka pasur asnjë lidhje me koronavirusin", tha Rakacolli.

Zv/ ministrja e Shëndetësisë shtoi se asnjë person nuk është i prekur me koronavirusin në Shqipëri.

"Janë testuar 13 raste të dyshuara tek udhëtarë që kanë histori udhëtimi me vendet e prekura nga koronavirusi i ri dhe rezulton deri në këto momente, se, Shqipëria nuk ka asnjë rast të konfirmuar me COVID-19. Pas mbledhjes së djeshme të Komitetit të Ekspertëve, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur rialokimin e një fondi shtesë prej 1 milion dollarë vetëm për shtimin e stokut të mjeteve të mbrojtjes personale në strukturat shëndetësore. Ministria e Shëndetësisë siguron se aktualisht, të gjitha strukturat spitalore kanë gjendje sasinë e nevojshme të mjeteve të mbrojtjes personale për këtë fazë në të cilën ndodhemi", tha Rakacolli.

Nga survejanca e përforcuar në pikat kufitare rezulton se janë kontrolluar dhe këshilluar 4800 udhëtarë që kanë një histori udhëtimi me vendet e prekura nga shpërthimi komunitar i koronavirusit, gjatë 24 orëve të fundit.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rekomandon qytetarët që vijnë nga rajonet e prekura, të vetëkarantinohen për një periudhë prej 14 ditësh. Ministria e Shëndetësisë rekomandon qytetarët që kanë udhëtuar në vendet e prekura dhe kanë shenjat e infeksionit viral, temperaturë, kollë dhe sidomos insuficencë respiratore (vështirësi në frymëmarrje) të telefojnë 127 për të marrë udhëzimet e duhura se si të veprojnë./a.m/noa.al

Lexo edhe: Shfaqi probleme pulmonare dhe e nisën me urgjencë në QSUT, ndërron jetë në Tiranë

Humbi sot jetën në Sanatorium, dyshohet për grip derri. Ja çfarë thonë mjekët