Transmetuar më 26-02-2020, 14:44

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, doli këtë mesditë në një konferencë të jashtëzakonshme, pas publikimit të marrëveshjes së Presidentit Hashim Thaçi me NATO-n, marrëveshje të cilën ai e quajti sekrete dhe shkelje të Kushtetutës. Kurti tha se në Bruksel, pa dijeninë e institucioneve, në 2013-tën janë nënshkruar dy marrëveshje.

"Dje pasdite unë i kam dërguar një letër kryetares së Kuvendit, por edhe presidentit Thaçi dhe kryeprokurorit, Aleksander Lumezi, që ka të bëj me një marrëveshje sekrete të nënshkruar nga presidenti me datën 19 prill të vitit 2013. Atë ditë nuk kishim një marrëveshje në Bruksel, por kishim dy të tilla. Ishte një marrëveshje mes Thaçit e Daçiqit, dhe kjo e dyta e njëanshme e Thaçit që FSK nuk do shkojë në Kosovën veriore pa dakordim me KFOR-in”, tha ai.

Sipas Kurtit, është e rëndësishme të dihet se kush ka kërkuar që të nënshkruhet kjo marrëveshje. Kurti po ashtu tha se ende është i interesuar të takohet me presidentin Thaçi për bashkërendim qëndrimesh në politikën e jashtme.

"Për ne është e rëndësishme të marrim vesh se kush e ka kërkuar këtë marrëveshje, sepse nuk besoj se Brukseli e ka kërkuar këtë. Para se të shkojmë në Mynih unë jam munduar që ta takoj presidentin në mënyrë që në politikën e jashtme mos të jemi kakofoni zërash. Prej 3 shkurtit, Kosova ka qeveri të re. Dialogun me Serbinë do ta përgatisim mirë dhe me parime, dhe atë unë e udhëheq si kryeministër. Unë vazhdojë të insistojë që duhet të jemi njëzëri në arenën ndërkombëtare me presidentin, dhe jo vetëm", tha ai.

Kurti, duke folur për votimin e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë në 2013-tën tha se deputetët nuk e kanë ditur se po votojnë dy marrëveshje, dhe në këtë formë sipas tij ata janë vënë në lajthitje.

"Shkëmbimi i letrave, sipas opinionit ligjor të zyrës së kryeministrit paraqet marrëveshje ndërkombëtare duke u bazuar në Konventën e Vjenës. Fshehja e një marrëveshje të tillë, konsiderojmë që është shkelje flagrante me të cilën duhet të merren organet e drejtësisë. Me këtë rast dua të theksoj qëndrimin tonë për aleancën me NATO-n e KFOR-in.

Nesër kam takim me komandantin e KFOR-it. Shqetësimi jonë ka të bëj me një zotim të një anshëm të ish-kryeministrit tani president. Kur është ratifikuar marrëveshja Thaçi-Daçiq, deputetët nuk e kanë ditur se janë dy marrëveshje, por vetëm një. Marrëveshja ka qenë me 15 pika, por nuk është ditur se kjo është vetëm njëra nga dy marrëveshjet", tha Kurti.