Transmetuar më 26-02-2020, 23:27

Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi sot se rindërtimin e Teatrit Kombëtar do ta bëjë vetë bashkia e Tiranës.

Veliaj tha se teatri i ri kombëtar do të ndërtohet më shpejt dhe me gjithë teknologjinë e nevojshme për të plotësuar kërkesat e komunitetit të artistëve.

Veliaj sqaron se komuniteti i artistëve jo-militantë kishte më shumë kërkesa teknike dhe kërkonte kalendar më të shpejtë punimesh se ç’ishte në gjendje të ofronte privati.

“Komuniteti i artistëve jo-militantë kishte më shumë kërkesa teknike dhe kërkonte kalendar më të shpejtë punimesh se ç’ishte në gjendje të ofronte privati. Në këto kushte, qeveria shqiptare dhe Bashkia Tiranë do ta ndërtojnë vetë Teatrin e Ri më shpejt e me gjithë teknologjitë extra për skenën”, shkruan Veliaj në twitter.

Ndërkohë Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit komentoi këtë deklaratë të papritur të Veliajt i cili bashkë me Edi Ramën deri dje këmbëngulnin që teatrin e ri ta ndërtonte Fusha shpk me kosto 30 milionë usd në këmbim të dhënies së tokës shtetërore për të ndërtuar gjithashtu shtatë kulla shumëkatëshe.

"Qeveria dhe Bashkia me një deklaratë të mekur pranuan dështimin për të çuar deri në fund projektin kriminal për të shembur Teatrin Kombëtar.

Ligji special ra sepse në themel të tij kishte ndërtimin e Teatrit të ri me skemën e Partneritetit Publik-Privat – ky ishte dhe qëllimi i Ligjit, dhe nuk e dimë se ç’pritet akoma që Ligji të tërhiqet.

Projekti ra, sepse nuk kishte, nuk ka dhe nuk ka për të patur ndonjëherë lidhje me një teatër, ishte thjesht një qendër komerciale, porosi e oligarkëve dhe klikës në pushtet, për të krijuar një fabul që t’i hapte rrugë shembjes së Teatrit Kombëtar.

Fitorja e parë e madhe është që prona publike i mbetet qytetarëve megjithëse është cënuar në një kohë të shkuar, dhe nuk do të tërhiqemi pa i rikthyer çdo centimetër të cënuar pronës së teatrit si pasuri publike.

Tani çështja është publike, dhe publiku do që godina të restaurohet, dhe ashtu do të bëhet.

Ne si Aleancë kemi komunikuar dhe mbajtur marrëdhënie vetëm me ata që kanë dëshiruar që ditën e parë restaurimin e Teatrit, konservimin e vlerave, me këtë matricë kemi dalë në publik dhe për këtë njerëzit na kanë mbështetur. Asnjë veprim nuk do të ndërmerret pa një konsultim të gjerë publik për projektin restaurator që i konservon më mirë vlerat që ka Teatri" thuhet në deklaratë. /noa.al/