Transmetuar më 27-02-2020, 11:36

Asnjë rast me koronavirusin COVID-19 nuk është raportuar në Shqipëri. "Deri tani, janë testuar 17 raste, të cilat kanë rezultuar negative", konfirmoi Eugena Tomini, shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik në një deklaratë për mediat.

"Gjatë ditës së djeshme janë testuar 4 raste në laboratorin e virologjisë së ISHP, të cilët kanë rezultuar negative për COVID-19. Nga periudha e shfaqjes së epidemisë në Kinë e deri mbrëmjen e djeshme janë testuar në total 17 raste të dyshuar, të cilët kanë rezultuar negative për COVID 19. Nga totali i tyre, 8 raste kanë pasur histori udhëtimi me Kinën dhe 9 raste kanë patur histori udhëtimi me Italinë", tha Tomini.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rekomandon për qytetarët që kanë udhëtuar nga rajonet e prekura me shpërthime komunitare dhe që kane patur kontakte me persona të sëmure apo të dyshuar për COVID-19, të vetëkarantinohen për një periudhë 14 ditore.

"Ministria e Shëndetësisë rekomandon që personat që vijnë nga zonat e prekura dhe kanë pasur kontakte me persona të prekur të vetëkarantinohen. Ata që kanë pasur shenja të temperaturës apo kollës të telefonojnë në numrin 127. Udhëtarët vlerësohen përmes temperaturës. Personat që janë futur në karantinë në pjesën veriore në Itali nuk dalin nga karantina. Ata që kanë temperaturë duhet të vetëkarantinohen në shtëpi dhe të marrin rekomandime. Është shumë e rëndësishme që bashkëpunimi të jetë vendimtar. Bëj thirrje që gjithë udhëtarët të respektojnë masat", deklaroi Eugena Tomini.

Në fjalën e saj shtoi se bashkëpunimi me popullatën është i rëndësishëm dhe duhet të respektojnë masat zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndër të tjera, tha se është rritur survejanca në pikat kufitare.

“Nga survjeanca e përforcuar në pikat kufitare ajrore, detare dhe tokësore rezulton se janë vlerësuar në 24 orët e fundit 3500 udhëtarë, që kanë histori udhëtimi me vendet e prekura nga shpërthimi komunitar i COVID-19. Theksojmë se aktualisht në aeroportin e Rinasit po kryhet monitorimi i temperaturës për të gjithë udhëtarët në të gjitha linjat”, u shpreh Tomini./a.m/noa.al

VIDEO/ Çfarë duhet të dini për koronavirusin e ri?

PËRDITËSIM LIVE