Transmetuar më 28-02-2020, 21:13

Nuk mund të ishte më e bukur fitorja dhe më emocionuese se kaq.

Kishte një dekadë Tirana dhe tifozët e saj të shumtë, që nuk përjetonin emocione të tilla. Kishte plot gjashtë vite pa fitore ndaj Partizanit, por pasi e theu më në fund gjatë pjesë së parë të këtij sezoni, sot Tirana i dha një “shuplakë të fortë” rivalit të saj historik, kampion në fuqi.

Dhe  kjo fitore e bën Tiranën pretendente kryesor për titullin e 25-të kampion. Bardheblutë pas derbit që u zhvillua mbrëmjen e sotme në stadiumin kombëtar, janë shkëputur pesë pikë nga Kukësi i vendit të dytë, ndonëse verilindorët kanë edhe një ndeshje për të luajtur.

Por kjo fitore, më kryesorja, ka larguar Partizanin një herë e mirë nga gara.

Edhe pse e nisi më mirë dhe shënoi  i pari Partizani, Tirana përmbysi me dy 11 metërsha rezultatin që në pjesën e parë. Të kuqtë mbetën me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Bitrit, çka e bëri më të lehtë misionin bardheblu: Tirana shënoi edhe tre gola në pjesën e dytë dhe hipotekoi fitoren e thellë 5-1, në ndeshjen hapëse të javës së 24-ët në Kategorinë Superiore.

Tirana-Partizani 5-1

15′ (11-m), 19′ (11-m) Batha, 63′ (ag) Idrizaj, 82′ Muçi, 90’ Muçi / 2′ Kordeiro

Tirana: Lika, Doka, Muça, Vangjeli, Hoxhallari, Batha (87′ Karabeci), Çelhaka, Torasa, Kale (55′ Sidibe), Kobinah, Ngo (76′ Muçi). Trajner: Emanuel Egbo

Partizani: Hoxha, Idrizaj, Bitri, Belica, Hakaj, Broja (58′ Mala), Telushi, Kordeiro, Çinari (73′ Cara), Bardhi, Braun (20′ Bilali). Trajner: Adolfo Sormani

Kartonë të verdhë: Doka, Kale / Kordeiro, Çinari

Karton i kuq: Bitri

Gjyqtar: Juxhin Xhaja