Transmetuar më 29-02-2020, 22:53

Këto ditë pyetja numër një mes shqiptarëve është: Ç’do ndodhë më 2 mars në Tiranë? Edhe pse ka deklaruar se do ia kalojë stafetën popullit duke protestuar me lule mimoza në bulevard, presidenti Meta nuk ka dhënë detaje se çdo të bëjë ai konkretisht të hënën e parë të marsit: Do shpërndajë parlamentin? Nuk e dimë. Do japë dorëheqjen? Nuk e dimë. Do protesojë fuqishëm në bulevard deri kur? Përsëri nuk e dimë. Ajo që mund të bëjmë sot dy ditë para është një parashikim se çdo bëjnë katër liderët kryesorë politikë shqiptarë atë ditë: vetë presidenti Ilir Meta që e lëshoi këtë thirrje; kryeministri Edi Rama që pritet të menaxhojë këtë lëvizje; kryetari i opozitës Lulzim Basha i rrethuar nga një mijë e një dilema si dhe lideri historik i PD Sali Berisha që si “një ujk i vjetër politik” i njeh mirë këto lloj lëvizje.

ILIR META

Ajo që dimë me siguri për Ilir Metën se çdo të bëjë më 2 mars është se kjo do jetë beteja më e rëndësishme dhe më vendimtare në karrierën e vet politike. Lajmërimi i tij se mazhoranca po kryen grusht shteti për të kapur Gjykatën Kushtetuese është pranuar edhe nga mbështetësit e Ramës dhe duket se kauza që ai ka zgjedhur është e drejtë juridikisht por edhe moralisht. Por, a do ta arrijë të gjunjëzojë Meta këtë supermazhorancë dhe super të pushtetshmin Edi Rama? A do të arrijë Meta të përmbysë këto raporte kur Rama ka gjithçka ndërsa vetë ai duket sikur të vetmin aleat ka vetëm veten? I njohur si një politikan që gjithmonë ka bërë beteja, të cilat i ka fituar, por edhe ka humbur, është rikthyer përsëri dhe përsëi ka gjendur vendin duke krijuar polin e tretë politik pa të cilin dy të tjerët nuk mund të mbaheshin në këmbë, ai sot gjendet në një situatë krej të re, të paparashikuar edhe nga vetë ai dhe që nuk ka ndodhur në këto tre dekada tranzicion. I izoluar në presidencë nga një marrëveshje underground, pothuajse i lënë i vetmuar nga opozita në një betejë “për jetë a vdekje politike” me mazhorancën, Ilir Meta duket se jo më kot ka zgjedhur marsin për atë që mund t’ia quajmë “The final count down”. Më shumë se Besëlidhja e Lezhës e 1576 viteve më parë, ky mars shënon ditëlindjen e 51-të të tij dhe ai e di mirë se në këtë moshë një politikan përgjithësisht bën beteja vendimtare në karrierë: Ose i fiton, ose i humbet të gjitha. Parashikimi vjen natyrshëm kur mësohet se brenda marsit mazhoranca pritet ta shkarkojë nga detyra e presidentit. Si lojtar profesionist në politikë Meta nuk mund t’ia jep këtë kënaqësi dhe kështu do jetë i detyruar të japë dorëheqjen. Duke kaluar në opozitë, ky është veprimi që e sjell Metën në një pozicion natyral. Meta kryetar i LSI është më shumë se sa kryetari i partisë së dytë më të rëndësishme të opozitës në vend. Këtë e di mirë Edi Rama, por edhe të gjithë politikanët e spektrit të majtë dhe të djathtë. Megjithatë, kjo lëvizje ka një gjë të paqartë: Dilema më e madhe për Ilir Metën është nëse ka apo jo mbështetjen e diplomacisë amerikane. Më shumë se te selia e kryeministrisë, më 2 mars, sytë dhe veshët e Metës do jenë nga selia në rrugën e Elbasanit. Nëse ai do kishte këtë mbështetje nga ambasadorja Yuri Kim për të gjitha argumentet që i jep me të drejtë, padyshim që lëvizja Meta do ta tronditë thellë mazhorancën. Në të kundërt, Meta do ta ketë tejet të vështirë ta çojë ujin e politikës shqiptare atje ku do ai.

EDI RAMA

Në vitin e shtatë të qeverisjes, Edi Rama ka vetëm një kundërshtar që mund dhe e vendos në vështirësi reale. Ai është Ilir Meta. Nga të gjitha piruetat që ka bërë në këto dy mandate qeverisëse, Rama e ka patur shumë herë më të lehtë me Lulzim Bashën që është kryetar i opozitës se sa me Ilir Metën, që për katër vjet e kishte në koalicion dhe prej 3 vitesh në presidencë. Më shumë se kushdo tjetër, ai dhe vetëm ai e di që 2 marsi nuk do jetë një ditë e lehtë për të dhe mazhorancën. Megjithatë, tashmë me përvojën e madhe në politikë dhe i mësuar që të jetë i vetëm në pushtet Edi Rama nuk mund të lejojë që t’i rrëshqasë këmba lehtë. Do ishte diletante të mendonim se Rama nuk e kupton që fakti se në këto 7 vjet ka grumbulluar aq shumë pushtet sa i rrezikon të gjithë pushtetin, dhe se kjo është pika më e dobët e tij. Me stilin e pushtetarit kryebashkiak që drejtonte të gjitha minibashkitë, Rama sot drejton qeverinë, drejton parlamentin, drejton pushtetin lokal, kontrollon drejtësinë dhe kontrollon shumicën e medias, pra kontrollon çdo gjë të mundshme për të kontrolluar në Shqipëri. Maketi qeverisës “Made in Edi Rama” me tepsi të siguruar me 1 milionë vota dhe timon “pa patentë” kanë sjellë aq shumë pushtet sa edhe vetë ai në shumë raste nuk ka ç’të bëjë me të, rrjedhimisht rreziku për ta zënë brenda është i madh. Prandaj, 2 marsi për Ramën do jetë një ditë delikate se nga një superpushtet mund të kthehet befas pa asnjë pushtet. Si mund të ndodhë kjo? Janë disa fenomene politike në këto 30 vjet në politikë që ngjajnë si pika uji. Në fund të vitit 1996 Sali Berisha president i kishte të gjitha: parlamentin, qeverinë, pushtetin lokal, mediat, SHIK, pra gjithçka. E megjithatë në janar të vitit 1997 e gjithë ky superpushtet ra. Në vitin 2001 kryeministri socialist Pandeli Majko kishte grumbulluar aq shumë pushtet sa guxoi pa arsye të garonte me Fatos Nanon për kreun e PS në mënyrë që të merrte edhe partinë. Humbi me 34 vota dhe pushteti i Majkos ra si një pirg rëre, por nëse do fitonte historia do shkruhej ndryshe. Në fund të vitit 2002 kryeministri Ilir Meta kishte grumbulluar shumë pushtet dhe ishte politikani më i fortë politikisht në ato momente. Në janar të vitit 2003, i gjithë ky pushtet ra. Fatos Nano kishte grumbulluar shumë pushtet në fund të vitit 2004. Në fillim të vitit 2005 dhe më pas me zgjedhjet e korrikut i gjithë ky superpushtet ra. Nuk besoj se mënyra e rrëzimit të Ramës mund të jetë e njëjta, por jam i prirur të besoj që superpushteti në Shqipërinë e tranzicionit shoqërohet në çdo rast me rënie nga pushteti. Avantazhi i momentit i Edi Ramës është shifra 1.15 miliardë euro ndihma dhe kredi për rindërtimin e godinave të shkatërruar nga tërmeti dhe këtë ai po e përdor si kauzë dhe kundërkauzë ndaj Metës duke thënë se ai është tërbuar pikërisht nga deklarata e dashurisë së BE-së. Kjo shifër mund t’i grasatojë mirë ingranazhet e ekonomisë së kolapsuar shqiptare në atë mënyrë që të shmangë, jo vetëm krizën ekonomike, por edhe atë politike. Por a mjafton kjo? Rama do të përdorë të gjitha mekanizmat që nga ata të medias, politikë por nuk është çudi edhe sinjale të marrëveshjeje. Dikush mund ta quante këtë çmenduri. Por duke iu referuar filozofisë së patriarkut aktual të PS-së, Gramos Ruçi se “në politikë gjithçka ndodh dhe asgjë nuk përjashtohet”, kjo çmenduri mund të kthehet në diçka normale. A nuk e quajtëm kështu thashethemin në vitin 2012 që Rama dhe Meta darkuan me ngjala në Gjirin e Lalzit? E vërteta është se më 2 mars Rama do t’i përdorë të gjitha kartat: Shkarkimin nga detyra e presidentit dhe shpallja armikun numër 1 politik, por nuk do të lërë pas as marrëveshjen. Të presim nga do anojë aksioni.

LULZIM BASHA

Në 7 vjet në krye të opozitës kjo është e para protestë politike ndaj qeverisë që Lulzim Basha, jo vetëm nuk e ka thirrur vetë, por edhe nuk do ta drejtojë vetë. Teksa shikonim pamjet e numrit një të PD në takimin me presidentin Meta më shumë se sa aleat, ai dukej si nxënësi përpara mësuesit. Frazat që ai tha menjëherë pas takimit, jo vetëm që nuk ishin deshifruese, por e tregonin Bashën të pasigurtë për 2 marsin dhe të shoqëruar me frikën se Meta po i merrte opozitën. Dhe nuk është çudi kjo. Meta dhe opinioni duket se është lodhur këto 7 muaj në prite të opozitës për të protestuar dhe një lëvizje në këto moment është e natyrshme. Lajmërimet se këtë verë nuk do ketë pushime, në vjeshtë do rikthehet uragani, në dhjetor do kemi një dhjetor të dytë, në fillim të vitit 2020 do bëhet nami, u ka dalë boja dhe të gjithë këtë boshllëk Meta mund ta plotësojë me shumë lehtësi. Kështu në një farë mënyre vërtetë 2 marsi do jetë lëvizja e Metës, por më shumë për të, do jetë një provë e fortë e opozitës dhe konkretisht për Lulzim Bashën. Dilemat e tij nuk do jenë a duhet ta mbështesë Metën më 2 mars, por nëse Meta po kryen një lëvizje për ti marrë lidershipin e opozitës ose jo. Basha i ka të gjitha mjetet për të mposhtur kundërshtarët brenda PD, por nuk i ka për ata që janë jashtë saj. Pritet që PD të jetë në shesh më 2 mars dhe zyrtarisht Basha do ta drejtojë atë, por ajo që parashikohet të bjerë në sy do jetë mungesa e entuziazmit të Bashës për atë që po bën. Më shumë do jetë i detyruar në bulevard se sa me dëshirën për të udhëhequr opozitën në këtë aksion. Ndodhur në këtë situatë, 2 marsi është një bankoprovë për Bashën. Se si do ta zgjidhë këtë situatë ai, do kushtëzojë edhe të ardhmen e tij politike.

SALI BERISHA

Lideri pa zëvendës historik PD dhe figura më reale opozitare e momentit është ai që nuk mund t’i shpëtojë asgjë nga ajo që mund të ndodhë më 2 mars. Nuhatja dhe informacioni që ka e ndihmojnë të kuptojë edhe qëllimet e Ilir Metës por edhe kufizimet e Lulzim Bashës. Berisha parashikon edhe se ç’mund të ndodhë dhe çfarë efektesh mund të ketë kjo lëvizje. Berisha është i rrethuar nga njerëz që ia thonë çdo ditë që jo diçka po shumëçka nuk shkon më opozitën pasardhëse që ai ka lanë. Më shumë se një herë ka deklaruar se kjo nuk është puna e tij, por denoncimet në faqen e tij digjitale vlejnë sa dy opozita të marra sëbashku. Atëherë përse Berishën nuk mund ta analizojmë për atë që bën? Unë nuk parashikoj që Berisha të jetë në bulevard më 2 mars por në mendjen e tij do kalkulohen lëvizje që në dukje do mbështesin Metën kundër Ramës, por do kujdeset që më shumë se kaq të mbështesë PD-në. Nuk është çudi që tashmë në kokën e Berishës të ravijëzohen liderë të rinj brenda PD-së që në rastin më të avantazhuar për Bashën ta konkurrojnë atë dhe në rastin më të keq ta zëvendësojnë atë. Berishës nuk i shpëton asgjë. /Gazeta Fjala/