Transmetuar më 02-03-2020, 10:36

Opozita për herë të parë do të përballet sot në Kuvendin e Kosovës me kryeministrin Albin Kurti, për ta kundërshtuar heqjen e taksës 100 për qind për mallrat serbe dhe boshnjake.

Mirëpo, partitë opozitare që e kanë thirrur seancën e jashtëzakonshme për të debatuar kundër heqjes së taksës, ende nuk kanë vendosur nëse në fund të saj do ta propozojnë miratimin e ndonjë rezolute apo jo.

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, të cilët edhe e kanë kërkuar këtë seancë, ka thënë për Insajderin se në fund të debatit do të shohin se çfarë do të propozojnë.

“Po e para është që do ta sensibilizoi opinionin, do të jetë debat sepse Kuvendi e ka obligim debatin. Tek përfundimi do të shohim gjatë seancës. Në bazë të zhvillimeve në seancë edhe vjen tek përfundimi, përndryshe para fillimit është herët të dihet dhe të konstatohet”, tha Haradinaj.

Albin Kurti që dikur ishte përkrah AAK-së së Ramush Haradinajt, si opozitë në kundërshtimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe Demarkacionit me Malin e Zi, sot do t’i ketë kundërshtar.

Haradinaj thotë se presin që Kurti të jetë në seancën e jashtëzakonshme dhe të përballen me të për taksën. “Po, natyrisht, ajo është përgjegjësi e tij dhe është obligim kushtetues me qenë, tash a vjen apo jo, është çështje krejt tjetër”, theksoi Haradinaj.

Kryeministri Albin Kurti, mori vendim javën që shkoi për heqjen e taksës 100 për qind për lënden e parë që importohet nga Serbia. AAK-ja e Haradinajt, kundërshtoi këtë vendim të tij, duke i kërkuar Kurtit që të mos e heq taksën deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.