Klubi Italian Juventus njoftoi të mërkurën se një prej lojtarëve të saj, mbrojtësi Daniele Rugani ka rezultuar pozitiv ndaj koronavirus.
Rugani, i cili luan gjithashtu për skuadrën kombëtare italiane është futbollisti i parë në shtetin fqinj që infektohet me virusin që vijon të përhapet me shpejtësi në të gjithë botën.
Numri i rasteve të infektuara me Covid-19 në Itali kanë arritur mbi 12 mijë, një ditë pasi OBSH e shpalli pandemi. Deri tani, janë raportuar 827 viktima, vendi i dytë në botë pas Kinës që është më i prekuri nga koronavirus.
Juventus, i cili ka fituar titujt e fundit të Serie A ka njoftuar rezultatin e futbollistit në faqen zyrtare dhe mediat lokale.
Klubi thotë se Rugani dhe ata që e kanë kontaktuar së fundmi janë izoluar. Gjthashtu thekson se futbollisti nuk ka patur asnjë shenjë të sëmundjes.
Juventus pati stërvitje të mërkurën, por nuk dihet nëse Rugani ishte i pranishëm. Klubi konfirmoi se ylli i futbollit, Cristiano Ronaldo ndodhet në Portugali për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të nënës së tij, e cila pësoi goditje në tru javën e kaluar./a.m/noa.al