Transmetuar më 18-03-2020, 15:55
Foto ilustruese

Operacioni policor "Ndalesa" ka vënë në pranga një person dhe ka proceduar penalisht një tjetër për falsifikimin e dokumenteve, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.

Arrestimi i të identifikuarit me inicialet R. K., 27 vjeç, banues në Sri Lanka, u bë në Rinas, duke tentuar të udhëtojë në Gjenevë, Zvicër, me një kartë identiteti franceze të falsifikuar.

Gjithashtu, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin J. K., 62 vjeç, banues në Londër, Angli, pasi dyshohet se ka ndihmuar shtetasin R. K., kundrejt përfitimit, duke i siguruar kartë identiteti franceze të falsifikuar.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Tiranës për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave” dhe “Kalim i paligjshëm i kufirit”.

Operacioni u finalizua me sukses në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të realizuara nga Policia Kufitare e Rinasit, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

Ndërkohë Strukturat e Policisë vijojnë edhe me angazhimin për zbatimin e masave të marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19.