Transmetuar më 18-03-2020, 20:35

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se partia që drejton nuk dëshiron të vazhdojë bashkëqeverisjen me Albin Kurtin.

Në një konferencë për shtyp tha se është vendosur inicimi i një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë Kurti. Vendimi vjen pas shkarkimit të ministrit të Brendshëm, Agim Veliu.

“Dëshiroj t’ju them se më 12 të këtij muaji e kam takuar zotin Kurti, kryeministrin, së bashku me kryeparlamentaren Osmani dhe zëvendëskryeministrin Hoti, dhe kam kërkuar nga ai që të heqë tarifën pa kushte, ashtu siç e kërkon Amerika, sepse rrezikimi i marrëdhënieve me SHBA nuk është në favor të vendit tonë. Nuk kam marrë ndonjë përgjigje pozitive, më 15 ka kaluar edhe afati që Kurti të veprojë për heqje të tarifës së pjesshme, për të cilën ne nuk ishim pajtuar. I kam shkruar të hënën zotit Kurti që deri në fund të kësaj jave të heqë tarifën, sepse po rrezikojmë marrëdhënien me ShBA-në.

Sot ka ndodh po ashtu një veprim i paparalajmëruar i kryeministrit, është shkarkuar një ministër i LDK-së në kundërshtim me marrëveshjen. Është veprim arbitrar, krejtësisht i panevojshëm në këtë situatë që po ballafaqohemi me luftën kundër një virusi që e ka kapluar vendin. Është veprim që flet që zoti Kurti nuk dëshiron të bashkëpunojë me ne, dhe të bëjë veprime që krijojnë relacione te shëndosha me partnerët. Kemi vendosë që LDK të iniciojë mocionin e mosbesimit për qeverinë Kurti, sepse nuk dëshirojmë të jemi pjesë e një qeverie të tillë”, tha Mustafa.