Transmetuar më 23-03-2020, 12:15

Alarmi i koronavirus vazhdon të jetë shumë shqetësues ndërsa shton pesimizmin edhe në UEFA në lidhje me rifillimin e kampionateve brenda afatit të vendosur javën e shkuar.

Pikërisht për këtë arsye, sipas “Corriere dello Sport” qeveria europiane e futbollit ka në program të martën një tjetër mbledhje për të studiuar një plan të ri në lidhje me kalendarin.

Pasi shtyu për vitin e ardhshëm Euro 2020, UEFA mund të vendosë të ulë numrin e ndeshjeve të Kupave si dhe të anulojë dritarën e qershorit për sfidat e kombëtareve. Zgjedhje të detyruara për t’i dhënë prioritet mbylljes së kampionateve brenda 30 qershorit.

Për momentin bëhet fjalë vetëm për ide sigurisht. Por përshtypja është se UEFA në këtë moment nuk ka shumë alternativa. Me kampionatet e pezulluara, emergjenca bën që të ketë shumë pasiguri për rinisjen e sezonit dhe mbetet e nevojshme hapja e datave të lira.

Objektivi është të mbyllet sezoni 2019-2020, duke kufizuar në maksimum dëmet dhe u përpjekur për të mos prekur sezonin e ardhshëm./b.l/noa.al