Transmetuar më 24-03-2020, 21:19

Presidenti Ilir Meta ka njoftuar se do të thërrasë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, lidhur me emergjencën e koronavirusit.

Nëse mbledhja do të mbahet normalisht apo virtuale, ai thotë se do të ketë në konsideratë situatën e veçantë dhe respektimin edhe të distancave sociale për këtë rast.

Ai shton se bashkëpunimi ka qenë i vazhdueshëm për përballimin e kësaj sfide të re dhe tërësisht të pazakontë.

Po ashtu Presidenti thotë se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të mbajtur në kontroll krizën e krijuar nga koronavirusi.

I ftuar në emisionin “Përballë”, ku u pyet nëse vendi është në afër skenarit italian, kreu i shtetit tha se kjo do të varet shumë nga përsosja e bashkëpunimit në orët dhe në ditët që vijnë midis gjithë autoriteteve dhe të gjithë qytetarëve.

“Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për ta mbajtur sa më në kontroll këtë krizë. Kjo do të varet shumë nga përsosja e bashkëpunimit në orët dhe në ditët që vijnë midis gjithë autoriteteve dhe të gjithë qytetarëve. Bashkëpunimi edhe brenda vetë çdo komuniteti për të respektuar distancat sociale brenda dhe vetë familjes për të bërë përsëri të njëjtën gjë, pasi ne vërtetë nuk kemi mjekësinë aq të zhvilluar sa Italia, por është e vërtetë gjithashtu që ne jemi një vend për sa i takon dimensioneve ku me një organizim më efikas, më të kontrolluar, më të disiplinuar, i kemi të gjitha mundësitë që ta mbajmë nën kontroll. Mos harrojmë që Italia dhe Kina kanë marrëdhënie të tjera në kuptimin e intensitetit të shkëmbimeve njerëzore, të turizmit reciprok. Në rastin tonë ne kemi mundësitë që t’i monitorojmë më mirë të gjitha rastet, jo vetëm të personave të cilët sipas testeve rezultojnë pozitivë, por edhe të gjurmueshmërisë së kontakteve që ata kanë patur për të izoluar përhapjen e mëtejshme të këtij virusi”, tha Meta.

Paketa financiare e qeverisë për betejën kundër koronavirusit duhet mbështetur dhe përshëndetur, por sipas kreut të shtetit ka nevojë për detajim, në mënyrë që të jetë sa më pranë për familjet që kanë vërtet nevojë. Meta mendon se ky është plani i parë.

"Nuk mund të jetë plani i fundit, por si plan i parë padyshim që duhet përshëndetur dhe duhet mbështetur dhe ai synon të bëj disa adresime të shpejta të financimeve të domosdoshme në përballim e kësaj situate, si për sa i takon forcimit të shëndetësisë me mjetet, me aparaturat, me logjistikën shtesë që duhet. Si përsa i takon pastaj mbështetjes për biznesin, të familjeve në nevojë.  Natyrisht që është një proces i cili ka nevojë për detajim, për identifikim të mëtejshëm, në mënyrë të veçantë për të qenë sa më pranë familjeve me më pak mundësi për ta përballuar këtë situatë në mënyrë, që atyre të mos u mungojnë asnjëherë ato domosdoshmëri jetike, të cilat do t’i mbanin të qetë në shtëpitë e tyre, në familjet e tyre derisa kjo situatë të përmirësohet”, deklaron Presidenti.

Sipas tij, Qeveria ka ndërmarrë disa masa në drejtim të lehtësimit të shumë detyrimeve edhe në raport me bankat, pra edhe në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe për sa u takon shumë detyrimeve që qytetarët kanë pranë institucioneve të ndryshme.

Ai nënvizon se ky është një proces që do të vazhdojë në mënyrë që kostoja e përballimit të kësaj krize të ndahet në një mënyrë sa më të drejtë për të gjithë shoqërinë tonë.

“Në rast se do të duhen financime të tjera pa rrezikuar një rritje kritike të borxhit apo një çekuilibrim të treguesve ekonomikë do të ndërmerren masa të tjera në mënyrën më transparente. Jemi përballë një fatkeqësie dhe cilado që të jetë kosto duhet bërë çdo gjë në këtë drejtim, sepse shëndeti dhe jeta e qytetarëve është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër. Unë besoj se kjo gjë do të bëhet në mënyrën më transparente që çdo qytetar të ndihet, jo vetëm i përfshirë, por edhe i mbrojtur maksimalisht nga shteti”, deklaron Presidenti.

PËRDITËSIM LIVE