Transmetuar më 25-03-2020, 07:40

Monedha e përbashkët ka shënuar një rritje të fortë në tregun vendas gjatë ditës së djeshme, pas tre ditëve pushim zyrtar.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye dje me 123.84 lekë, duke u rritur me 0.81 lekë, në krahasim me fundin e javës së kaluar, duke arritur nivelin më të lartë në një vit, që prej marsit të vitit të kaluar.

Që prej 12 marsit, euro është rritur me 1.05 lekë në tregun vendas. Në rritje ishin dhe gjithë valutat e tjera, ku dollari u këmbye me 114.45 lekë, ose 1.08 lekë më shumë. Mbiçmimin më të madh e shënoi paundi britanik me 3 lekë më shumë, në 133 lekë.

Rritja e euros është dhe reflektim në bursat ndërkombëtare, ku monedha e përbashkët e ka marrë veten tre ditët e fundit, duke u këmbyer ditën e sotme me 1.086 dollarë, nga 1.07 që zbriti pak ditë më parë.

Aktorët e tregut pohuan për Monitor se prej gati dy javësh vijon situata e njëjtë. Nuk ka vëllime tregtare. Të vetmet që po punojnë janë ushqimoret, të cilat janë të orientuara drejt importit, që deri më tani vazhdon normalisht.

Që kur në Shqipëri u shënua rasti i parë i koronavirusit në 11 mars, qeveria ka vendosur kufizimin e lëvizjeve dhe bllokimin e shumë aktiviteteve jo jetike, me synim frenimin e përhapjes së infeksionit.