Transmetuar më 26-03-2020, 13:39

Ish ministri i Shëndetësisë nga PD, Tritan Shehu ka kërkuar që të ndiqen direktivat e OBSH lidhur me pandeminë e Koronavirusit duke sygjeruar që të bëhen sa më shumë teste.

“Test, test, test, kolegë të të gjitha laboratorëve, bëhuni ju protagonistët! Sipas direktivave të OBSh duhet një strategji agresive, aktive e direkte kundër Virusit, duke filluar me testim horizontal. Identifikimi i çdo rasti ngel detyra e madhe, që krijon më tej mundësi për mjekim, izolim e gjallërim social e ekonomik.

Strukturat shtetërore laboratorike duke përqendruar të gjithë barrën në Tiranë, definitivisht nuk mund ta përballojnë këtë domosdoshmëri. Laboratorët publike, të parësorit e spitaloret, janë në një amulli të plotë si pasojë e Check up-it, apo e “pritshmërisë” së tjetrës PPP, përfshi dhe në QSUT”, shkruan Shehu.

Më tej ai shton se në këto kushte duhet shfrytëzuar menjëherë ai rrjet i tërë laboratorësh me nivel, tashmë në mbarë vendin. “Kolegë, menaxherë të tyre, ju mund të jeni “pionierët” e depistimit horizontal; për këtë ju mund të bëheni inisiatorët e futjes së metodave të tjera diagnostikimi të thjeshta edhe jashtë “tamponëve”, të shpejta, të lira, që mund t’i realizoni në të gjithë territorin, më pak përpjekje e investim fillestar. Në radhë të parë e kam fjalën për metodat imunokromatografike, për të cilat sot po flitet shumë, mjaft vende po i aplikojne masivisht me sukses e kosto shumë të ulët, të tjerë po i studjojnë me shpejtësi, edhe për të përcaktuar imunizimin e popullsisë më tej”.

Sipas tij, qartësisht edhe kjo metodë nuk mund të realizojë objektivat e një kërkimi horizontal, nqs përsëri si ”tamponi” do të ngelë monopol vetëm i Tiranës. “Suksesi strategjik i saj apo kujdo metodë tjetër të nesërme, kërkon involvimin e të gjithë juve në të gjithë Shqipërinë pa pritur “fermane zyrtare”, vetëm kështu do të detyrohet shteti “të zgjohet”, tju ndjekë dhe detyrimisht tju rimbursojë”./b.l/noa.al/