Transmetuar më 26-03-2020, 16:21

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca ka folur me qytetarët në lidhje me çeljen e negociatave dhe situatën e shkaktuar nga koronavirusi në Shqipëri.

I pyetur se cilat ishin përmirësimet që ka bërë Shqipëria që nga mbledhja e fundit e këshillit, Soreca tha:

"24 Marsi është një ditë historike për Shqipërinë, që e ka sjellë më pranë BE-së në një status tjetër. E rëndësishme ka qenë që Shqipëria të bënte përparim dhe ecuri përpara, kjo ka qenë kritike. Unë do të doja të përmendja se çfarë ka qenë e rëndësishme për shtetet anëtare. Më lejoni që të përmend disa prej arritjeve të 6 muajve të fundit.

Si fillim ka qenë krijimi i SPAK; emërimi i prokurorit të përgjithshëm, emërimi i inspektorit të lartë të drejtësisë, po ashtu lancimi i procedurës që do të mbarojë brenda pak ditësh, pra emërimi i drejtorit të BKH.

"Por edhe tryeza për reformën zgjedhore", tha Soreca.

Sa i përket ndryshimeve që ka pësuar vendi ynë që nga e marta e shkuar, Soreca tha:

"Marrëdhënia mes BE dhe Shqipërisë ka ndryshuar. Tani jemi në një fazë tjetër ku gama është shumë më e lartë dhe më e gjerë, që do të thotë se mbulohen të gjitha fushat e mundshme." Sipas Sorecës, sa më të shpejta të jenë reformat, aq më shpejt Shqipëria do të bëhet shtet anëtar në BE.

Soreca bëri të ditur se Shqipëria duhet të plotësojë disa kushte para se të ulet në tryezë me BE, të cilat janë:

Reforma të miratuara në mënyrë të plotë me rekomandimin e OSBE-ODIHR-it.

Vazhdimi i Reformës në Drejtësi dhe këtu do të merret parasysh opinioni i Komisionit të Venecias.

Krijimi i strukturave të reja të drejtësisë, anti korrupsion, pra SPAK, BKH.

Shqipëria duhet të luftojë edhe për krimin e organizuar me shtetet anëtare.

“Vazhdimi  i reformës gjyqësore, funksionimi i Gjykatës Kushtetuesedhe të Lartë por dhe lufta ndaj krimit dhe korrupsionit si dhe implementimi i plotë i SPAK dhe BKH.  Shqipëria duhet të luftojë krimin e organizuar dhe pastrimin e parave si dhe të bashkëpunojë me SHBA. Këto janë të rëndësishme. Po ashtu është e rëndësishme puna të vazhdojë për. Lufta kundër emigracionit të parregullt, azilantëve. Duhet bërë punë për ndryshimin e ligjit për mediat ku rol do të luajë opinioni i Venecias. Puna duhet të vijojë edhe për elementët e tjerë që janë përmendur edhe në Bundestagun gjerman ku u pa qartë edhe qëndrimi i Gjermanisë. Puna duhet të vazhdojë për çështjen e të drejtave të njeriut, të pronësisë, minoritetet”, deklaroi ambasadori.

/a.m/noa.al