Transmetuar më 27-03-2020, 10:13

Këshilli Europian miraton konkluzionet për hapjen e negociatave për Shqipërinë.

Ministria e Punëve të Jashtme bën me dije se me këtë vendim përfundoi formalisht procesi i vendimmarrjes.

“Vendimi i Këshillit është një mesazh i shkëlqyer jo vetëm për Shqipërinë; në fakt është edhe një mesazh pozitiv për të gjithë rajonin, duke treguar se agjenda e zgjerimit funksionon akoma dhe se e ardhmja e rajonit është në familjen europiane”, thotë MPJ.

Vendimi i Këshillit është më shumë se një shenjë besimi që i jepet vendit tonë, Shqipërisë. Në fakt thotë ministria, është një përgjegjësi shumë e madhe, të cilën Qeveria Shqiptare do ta realizojë duke përmbushur në kohë dhe si duhet të gjitha kërkesat, në përputhje me pritshmëritë e procesit të anëtarësimit në BE.

Vendimi i Këshillit është gjithashtu një njohje e qartë e përparimit të konsiderueshëm në zbatimin e agjendës së BE-së.

“Ne mirëpresim miratimin nga Këshilli për vazhdimin e procesit të zgjerimit në bazë të Komunikatës së Komisionit për metodologjinë e re “Pasurimi i procesit të negociatave – Një perspektivë e besueshme në BE për Ballkanin Perëndimor”. Kjo do ta bëjë procesin më të besueshëm, të parashikueshëm dhe dinamik. Shqiperia është totalisht gati për të plotësuar kërkesat të cilat burojnë nga negociatat e anëtarësimit, sipas metodologjisë së re. Veçanërisht mirëpresim mandatin që i është dhënë Komisionit për të realizuar dhe finalizuar procesin e shqyrtimit analitik të legjislacionit të BE-së, duke filluar me grupin e thelbësoreve”, thotë ministria.

Vendimi i KiE është përshëndetur nga Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo.

“Ne mirëpresim vendimin e Këshillit Europian për të çelur negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Shtetet e Bashkuara do të mbeten partneri juaj në çdo hap të këtij rrugëtimi”, thotë Pompeo. /a.y/noa.al