Transmetuar më 27-03-2020, 12:03

Një nga filozofët e gjallë më të shquar të globit, slloveni, Slavoj Zhizhek, i njohur për idetë e tij ultra të majta e ka konsideruar rrëzimin e qeverisë së Albin Kurtit si një grusht shteti të forcave obskurantiste.

Sipas Zhizhekut qeveria e kryesuar nga Albin Kurti ishte ndër shenjat shumë të rralla të shpresës në rajonin e Ballkanit.

“Qeveria e Kosovës e kryesuar nga Albin Kurti ishte ndër shenjat shumë të rralla të shpresës në rajonin e Ballkanit. Politikbërjen më në fund, e mori në dorë një gjeneratë e re, e cila nuk është e lidhur për pasionet etnike, që qe e përkushtuar për moderninzimin e vendit dhe që frymëzohej nga një iluminizëm emancipues. Si e tillë, qeveria e Kurtit ishte gjemb në këmbë për të gjitha forcat politike të cilat janë në gjendje të mbijetojnë vetëm në moçalin e pasioneve etnike e religjioze- ajo u urrye nga obskurantistët të të gjitha llojeve, në Kosovë, Shqipëri e Serbi”, thotë ai.

Pikërisht sipas Zhizhekut ndaj qeverisë së Albin Kurtit u krye një grusht-shteti parlamentar, i cili është shqetësues në dy aspekte. E para se për të kryer atë u shfrytëzua periudha e pandemisë së koronavirusit dhe e dyta se ai u organizua nga jashtë, duke ndjekur rrugën që të çon deri në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas filozofit të njohur botërisht, ajo që ndodhi tani në Kosovë mund të jetë pamja se si do të jetë bota nesër pasi pandemia të kalojë.

“Në pamë se si mund të përdoret politikisht epidemia e tmerrshme që po na shkatërron jetët- ajo përbën shembullin se si ata në pushtet do ta shfrytëzojnë pamëshirshëm pandeminë për të imponuar vizionin e tyre për rendin e ri botëror. Është detyra jonë e shenjtë ta sqarojmë këtë për publikun e iluminuar në të gjithë botën, pasi historia e Kosovës kërcënon të shndërrohet ne historinë e të gjithë neve”, konkludoi ai.