Transmetuar më 28-03-2020, 10:32

Një burrë i moshuar nga Tirana, i infektuar me Covid-19 ka ndërruar jetë sot në spitalin Infektiv në Tiranë.

67-vjeçari i identifikuar me inicialet Ll.N është viktima e dhjetë në Shqipëri.

Në njoftimin e bërë publik nga Ministria e Shëndetësisë, thuhet se ishte i sëmurë prej 10 ditësh dhe po trajtohej prej katër ditësh në terapi intensive në gjendje të rënduar, i intubuar.

Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, pacienti që vuante nga hipertensioni, nuk arriti të mbijetojë.

Mbrëmjen e kaluar (27 mars) ndërroi jetë një paciente nga Vlora, me inicialet L. M., e shtruar prej 4 ditësh në spitalin infektiv dhe në dy ditët e fundit në terapi intensive në gjendje të rëndë. Pacientja që rezultonte në kartelën e spitalit infektiv në moshën 52 vjeçare, sikundër u raportua mbrëmjen e djeshme, pas verifikimeve me gjendjen civile, është 72-vjeçare.

Deri tani, numri total i të infektuarve me koronavirus në vendin tonë ka arritur në 187. /a.m/noa.al