Transmetuar më 28-03-2020, 15:48

Komisioni Europian ka vendosur të rigrupojë fondet e buxhetit të Bashkimit Evropian, duke përfshirë 100 milionë eurot e premtuara për të ndihmuar rimëkëmbjen e Shqipërisë nga tërmeti i 26 nëntorit.

Propozimi i Komisionit Europian parashikon, krahas rigrupimit të fondeve të parashikuara për vitin 2020, edhe shpenzime shtesë. Ndër to 350 milionë euro do të shkojnë drejt Greqisë për të ndihmuar emigrantët që jetojnë atje.

Por e re si shpenzim shtesë në buxhet janë edhe 100 milionë eurot e parashikuara si ndihmë për Shqipërinë për rimëkëmbjen dhe përballimin e pasojave të tërmetit vitin e kaluar.

Komisioni Europian kishte premtuar më parë 115 milionë euro për Shqipërinë pas tërmetit të rëndë në nëntor 2019, 15 milionë euro menjëherë pas tërmetit, dhe 100 milionë euro në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve për Shqipërinë të mbajtur në shkurt.

Pritet që këto ditë,Këshilli i BE dhe Parlamenti Europian të bien dakord për propozimet e reja buxhetore të Komisionit Europian dhe menjëherë më pas, 100 milionë eurot për Shqipërinë do të jenë gati për përdorim.