Transmetuar më 28-03-2020, 17:42

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vlerëson se më shumë se punë, se qeveria shqiptare po bën propagandë, në një kohë kur duhet të merrte përgjegjësitë për të mos i lënë njerëzit e varfër, të futen më shumë në krizë. Kryedemokrati gjykon se situata në vend nuk është e mirë dhe ka rrezik që nga pandemia e koronavirusit ne po shohim vetëm majën e ajsbergut.

“Çdo vend është detyruar të përballet me këto masa por jo në çdo vend ka kaq shumë varfëri, e di sa e vështirë është kjo situatë për njerëzit, këtu në mes të Tiranës dhe në vende të tjera. Masat u morën jo në kohë, por qytetarët i zbatuan. Sot 2 javë pasi kërkoj marrje masash po e them troç: që situata nuk është mirë, menaxhimi i krizës po bëhet me propagandë boshe”, tha Basha në intervistë për News24.

“Do të vijë një ditë pasi të gjitha janë të thëna. Sot nuk është koha për të dalë përgjegjësitë. Duhet lënë propaganda. Se si bëhet, propaganda duhet të ndalet. Nuk zgjidhen gjërat me telefon. Nxjerrin një akt që efektet fillojnë në prill. Shpresoj të jetë gabim trashanik, është skandal", shtoi kreu demokrat.

Më tej ai ka zbuluar se çfarë ka folur në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Në radhë të parë sipas tij duhen mbyllur fasoneritë, call center dhe fabrikat me shumë punonjës dhe me ambiente të pamjaftueshme gjë që e ka përsëritur ditë pas dite.

"Kam kërkuar t’i jepet fund masave të dyfishta. Çdo masë e kemi përshëndetur. Masa për të mbrojtur shëndetin që veç një familjar të dalë për pazar, por është standard i dyfishtë të mbash ende fasonet me qindra familjarë. Me 200 euro po t’i paguash 14 milionë euro të kushtojnë. T’i thërrasë mendjes, është vetëm përgjegjësia e tij se ato po kthehen në vatra infeksioni. Dy javë sakrifica mund të zhvlerësohen", paralajmëroi Basha.

Ai kërkoi edhe që të bëhet transparenca me testimet. "Kërkova në Këshillin e Sigurisë që të ndryshohet taktika. Të bëhet testim masiv, sidomos i punonjësve të shëndetësisë, policisë por edhe atyre të dyqaneve dhe supermerkatove, pra gjurmimin", theksoi z.Basha. Lideri opozitar ka kërkuar edhe që të jetë pushteti vendor ai që të gjurmojë rastet në kushtet e karantinimit të popullsisë pasi është më e lehtë në këto kushte. /noa.al/