Transmetuar më 30-03-2020, 17:58

Dy familje në Berat kanë mbetur në qiell të hapur pasi flakët shkrumbuan banesat e tyre. Në orët e para të mëngjesit, zjarri përfshiu dy banesa në lagjen ‘Jani Vruho’, të cilat u konstatuan nga policia që njoftoi menjëherë zjarrfikësen.

Për gjysmë ore u shuan flakët, por nuk ka mbetur asgjë brenda, as muret. Fatmirësisht, asnjë person nuk ndodhej brenda, prandaj dëmet ishin vetëm materiale. Anëtarët e dy familjeve Eskiu ishin larguar për të jetuar së bashku në një tjetër banesë për shkak të frikës së përhapjes nga koronavirusi.

Kryefamiljari Besnik Eskiu u shpreh se kishin fat që u larguan prej disa javësh, në të kundërt zjarri do i digjte të gjithë në gjumë.

Në këto ditë të vështira nga koronavirusi, ai i bën thirrje për ndihmë shtetit pasi kanë mbetur në qiell të hapur.

"I drejtohem bashkisë dhe instancave më të larta shtetërore që të më ndihmojnë pas kësaj fatkeqësi që na la në qiell të hapur. Tashmë nuk na ka ngelur më asgjë nga shtëpitë. Kur erdhëm në banesë pas njoftimit të policisë, flakët nuk mbaronin dhe përpinë gjithçka kishin ndërtuar me punë e sakrifica", u shpreh Besnik Eskiu.

Ndërkohë kanë nisur hetimet për të zbuluar cfarë e shkaktoi zjarrin. Thuhet se është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike, por nuk është konfirmuar nga burimet zyrtare./a.m/noa.al