Transmetuar më 30-03-2020, 19:28

Ministri në detyrë për Punët e Brendshme dhe Administratën Publike në Kosovës, Xhelal Sveçla ka dorëzuar në Prokurori një padi kundër Presidentin Hashim Thaçi.

Kallëzimi ndaj Thaçit lidhet me deklaratat e datës 23 mars, për të cilin pretendojnë se nuk janë respektuar vendimet e marra për masat mbrojtëse kundër koronavirusit.

Me anë të një njoftimi të bërë publik, Xhelal Sveçla thotë se Presidenti ka shkaktuar paqartësi tek qytetarët dhe ka bërë të mundur kaosin në rrugë duke kontribuar në përhapjen e Covid-19.

Njoftimi i plotë nga ministri Xhelal Sveçla:

Më 23.03.2020, Presidenti në konferencë për media del me deklaratë ku bën thirrje për mos-respektim të vendimit të Qeverisë. Deklarimi i tij verbatim është ky:

“Qytetarët nuk janë të detyruar që t’i respektojnë vendimet kundër-kushtetuese dhe askush nuk mund t’i dënojë ata për këtë. As Policia e Kosovës dhe as organet sigurisë nuk duhet ta zbatojnë këtë vendim kundër-kushtetues të qeverisë, sepse kështu edhe vetë bëjnë vepër penale”.

Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës parashihen gjithsej 30 nga kompetencat e Presidentit të vendit. As edhe njëra prej tyre nuk ka të bëjë me vlerësimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së vendimeve të Qeverisë. Kjo kompetencë u takon gjykatave.

Presidenti përmes deklarimeve të tij dhe thirrjeve për mos-respektim të Vendimit të Qeverisë në datën 23 Mars 2020, përveç që ka shkaktuar paqartësi tek qytetarët, i njëjti gjithashtu ka mundur të ndikojë që përmes këtyre thirrjeve të shkaktojë kaos nëpër rrugë dhe të kontribuojë në shpërndarjen më të madhe të Virusit COVID-19, si rezultat i qytetarëve që nuk do të respektonin vendimin e Qeverisë – sipas rekomandimeve të Presidentit.

Në lidhje me këtë, dhe marrë parasysh se ne jemi të dedikuar t’ respektojmë organet e drejtësisë dhe të krijojmë një shtet ku sistemet janë me të vërtetë të ndara, z. Sveçla dorëzoi Kallëzimin Penal kundër Presidentit, duke ngritur dyshimin e bazuar se Presidenti ka kryer veprën penale “Thirrje për rezistencë” të paraparë në Nenin 403 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./a.m/noa.al