Dy armët e forta të 2 grave që i mbijetuan gripit spanjoll, Depresionit të Madh dhe Holokaustit
Transmetuar më 31-03-2020, 09:58

Dy gra të jashtëzakonshme, njëra 101 vjeçedhe tjetra 95. Që të dyja kanë jetuar periudhat më të këqija të shekullit të 20-të.

Shumica prej nesh e ka të pamundur t’i kuptojë vështirësitë e mëdha që shoqëronin jetën në gjysmën e parë të shekullit të 20-të. Humbjet e njerëzve dhe masat shtrënguese ishin diçka e zakonshme, ndërkohë që katastrofat kishin sezonin e tyre.

Në moshën 101-vjeçare, raporton noa.al duke cituar The New York Times, Naomi Replanski, poete dhe aktiviste për të drejtat e punëtorëve, i ka kaluar të gjitha. Lindur në Bronks, Nju Jork në maj të vitit 1918, ardhja e saj në botë përkoi me fillimin e gripit spanjoll.

Gripi spanjoll, i cili mori dhjetëra miliona jetë njerëzish, ku shumë prej tyre ishin fëmijë nën moshën 5 vjeç, nuk kishte qenë aspak një emergjencë shëndetësore e cila duhej të çonte në një izolim të publikut nëpër shtëpitë e tyre.

Në qershor të vitit 1916, poliomieliti ishte shpallur një epidemi në Nju Jork. Atë vit, kjo sëmundje shkaktoi afro 2000 vdekje në këtë qytet. Ata që i mbijetuan kishin kujtime mjaft të freskëta të shpërthimit të tifos, i cili e kishte pushtuar qytetin nëntë vite më parë.

Deri në nxjerrjen e vaksinës së poliomielitit në vitet 1950, shpërthime të kësaj sëmundjeje ndodhnin pothuajse çdo pranverë në qytet. Grumbullimet publike anuloheshin rregullisht, ndërkohë që të pasurit e qytetit shpërnguleshin në fshat.

Fundjavën e kaluar, ndërkohë që Nju Jorku po përballej me një tjetër situatë emergjente, atë të përhapjes së koronavirusit, Naomi dhe partnerja e saj 95-vjeçare, Eva Kolish ndodheshin në apartamentin e tyre në pjesën veriperëndimore të qytetit. Por ato nuk dukeshin të shqetësuara. “Izolimi nuk më shqetëson aspak”, thotë Naomi.

Naomi dhe Eva u njohën në vitet ’80 në një rreth letrar. Që të dyja kishin kaluar kaq shumë gjëra në jetë saqë tashmë, kur katastrofa si ato më lart shfaqeshin sërish, ato ishin mësuar që të përballeshin më lehtë me to.

Si Eva, ashtu dhe Naomi kishin përjetuar anti-Semitizmin në moshë shumë të hershme. Eva, e cila ishte rritur në një familje të pasur dhe intelektuale hebrenjsh në periferi të Vienës, kujton se si një grup fëmijësh e rrihte për faktin se ishte një “çifute e ndyrë” ndërkohë që ishte vetëm gjashtë vjeçe.

Gjyshërit e Naomit kishin arritur të arratiseshin nga pogromet e Rusisë dhe kishin mbërritur në Amerikë në fillim të shekullit, atëherë kur emigrantët, që konsideroheshin si të pistë dhe të paditur, fajësoheshin vazhdimisht për përhapjet e sëmundjeve.

Për shkak të ngjarjeve të shumta dhe të hidhura që i kanë shoqëruar në jetë, Naomi dhe Eva duket sikur kanë krijuar imunitet ndaj frikës.

Mesazhi që ato përcjellin në këto kohë të vështira që po kalon bota sot është se njerëzimi gjithmonë ia ka dalë mbanë, pavarësisht situatave me të cilat është përballur ai. Për to, guximi dhe kurajo janë dy armë mjaft të forta të cilat e ndihmojnë njeriun të përballet me çdo gjë. /noa.al/