Transmetuar më 01-04-2020, 15:29

Agjencia e Prokurorimeve Publike ka pezulluar të gjithë tenderët që nuk kanë të bëjnë me koronavirusin. Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, APP konfirmon se do të vijohet me tenderët që kanë të bëjnë me shërbime dhe materiale që plotësojnë nevojat për përballimin e krizës së koronavirusit.

“Autoritetet kontraktore duhet të vijojnë procesin e prokurimit vetëm për ato procedura prokurimi që lidhen ngushtësisht me mbulimin e nevojave te dala në kuadër të situatës së shkaktuar nga pandemia Covid 19 dhe që konsiderohen të domosdoshme.

Në kuptim të sa më sipër, autoritetet kontraktore të pezullojnë gjitha procedurat e prokurimit, përfshirë këtu edhe procedurat e prokurimit me vlerë të vogël, për objekte prokurimi të cilat nuk lidhen ngushtësisht me këtë situatë, deri në një njoftim të dytë”, njofton APP.

Gjithashtu në njoftim thuhet që të pezullohen edhe ato procedura prokurimi që janë në proces, objektet e të cilave nuk lidhen me situatën e shkaktuar nga pandemia, deri në një njoftim të dytë.

“Për këtë qëllim, sjellim në vëmendjen e të gjithë autoriteteve kontraktore dhe operatorëve ekonomikë stafi i APP-së është në dispozicion për çdo kërkesë për asistencë, pyetje apo paqartësi, të cilat mund t’i dërgoni në adresën e-emailit: [email protected].”, përfundon APP.