Transmetuar më 03-04-2020, 01:05

Në Fletoren Zyrtare u publikua sonte duke hyrë menjëherë në fuqi, Akti Normativ i qeverisë për shtyrjen e pagesës së qirave për shkak të vështirësive financiare që shkaktoi koronavirusi.

Fillimisht gjatë të enjtes, Rama foli për mospagim të qirasë së bizneseve të vogla dhe familjeve, madje tha se do ndëshkonte rëndë qiradhënësit nëse do tentonin të merrnin paratë.

Vendimi që lajmëroi Rama u shoqërua me reagime të ashpra nga opozita. Sonte, Akti Normativ sanksionon procedurë krejt tjetër duke përjashtuar mospagimin. Akti fokusohet tek tre kategori qiramarrësish: Familjarët që kanë humbur punën nga koronavirusi; bizneset e vogla dhe studentët.

Sipas Aktit Normativ, ata nuk do ta paguajnë qiranë në muajt prill dhe maj por duhet të bien dakord me qiradhënësit që pjesa e pashlyer të paguhet me këste gjatë muajve pas majit.

Kushti kryesor është që mes palëve të ketë një kontratë qiraje.

Më herët të enjten Rama lëshoi këtë deklaratë:

🔴 ME AKTIN NORMATIV PËR MASAT E VEÇANTA DO TË NDALOHEN PAGESAT E QERAVE NGA ANA E BIZNESEVE TË VOGLA DHE FAMILJARËVE TË REGJISTRUAR NË PUNË, QË KANË NDALUAR PUNËN PËR SHKAK TË LUFTËS!

KUSH KA HUMBUR PUNËN NË TË ZEZË DHE KA KËTË HALL, MUND TË PËRFITOJË NGA KJO MASË VETËM DUKE DENONCUAR PUNËDHËNËSIN!

🔴 QERADHËNËSIT DO TË NDALOHEN T’U KËRKOJNË PAGESËN MUJORE KËTYRE SUBJEKTEVE OSE DO TË PENALIZOHEN ME GJOBË SA PESËFISHI I VLERËS SË QERASË PËRKATËSE!

🔴 PËR ÇDO RAST PRESIONI NGA QERADHËNËSIT, SUBJEKTET QERAMARRËS TË DY KATEGORIVE TË MËSIPËRME, TË DREJTOHEN NË FAQEN ONLINE TË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË TATIMEVE!

*kjo luftë kërkon medoemos që kushdo ka një mundësi më shumë, të solidarizohet me fakte jo me fjalë, për këdo që s’ka asnjë mundësi të mbijetojë pa solidaritet

Kurse disa orë më pas, nisi tërheqjen:

🔴 Ndërkohë që kam publikuar parimin e nismës së Aktit Normativ mbi pagesat e qerave të të dëmtuarve rëndë nga lufta që kanë humbur momentalisht aftësinë paguese dhe janë nën lloj-lloj presionesh, deri edhe të rënda nga qeradhënës të caktuar, shoh që ende pa dalë akti PD-ja është lëshuar siç di vetë kur prek majën e dëshpërimit!

🔵 Sa gjynah që janë, nuk e gjej dot pse Zoti nuk ua ushqen fare vajin e kandilit të trurit as në këtë kohë të errët, po nuk kemi ç’bëjmë!

🔴 Akti Normativ po bëhet gati, e … do të kem mundësinë t’ju shpjegoj edhe qeramarrësve më hallexhinj, edhe qeradhënësve në hallin e tyre, edhe të gjithë të tjerëve me hallet përkatëse të kohës që jetojmë, se sa i drejtë është ky Akt Normativ, me ligj e me zakon, e se sa e fajshme është në mes të luftës kjo kundërvënie e verbër e një çete vulëhumburish (pa din, pa iman e pa asnjë hall tjetër veç ëndrrës së tyre në beze), ndaj njerëzve më në hall të kësaj lufte!

Mbrëmjen e sotme në një lidhje direkte me “Opinion” në Tv Klan, kryeministri Edi Rama ka sqaruar se cilët janë ata qiramarrës që nuk do ta paguajnë këstin mujor për dy muaj, Maj dhe Prill, por do t’i paguajnë në muajt në vijim.

Si do të funksionojë mospagimi i qirave dhe a ka të drejtë shteti të ndërhyjnë në një marrëdhënie private?

“Kjo ishte nisja e një Akti Normativ, që besoj se u jep përgjigje një pjese të shqetësimeve. Të gjithë qiramarrësit individë që kanë kontratë qiraje për banesë, që kanë kontratë pune dhe e kanë pezulluar për shkak të Covid- 19, nuk do ta paguajnë qiranë për 2 muaj. Po ashtu edhe qiramarrësit studentë, po kështu sipërmarrësit, persona fizik me të ardhura deri në 14 milion lekë në vit nuk do ta paguajnë për dy muaj, Prill dhe Maj, më pas detyrimi i prapambetur do të paguhet në mënyrë proporcionale dhe të dakordësuar me qiradhënësin pas muajit maj. Për kontratat që përfundojnë në maj do të paguhen në muaj më tej, në tre muajt e mëtejshme. Kush do të ketë probleme me marrjen e qirasë, do të ndërhyrë drejtoria e tatimeve”, u shpreh Rama.

Për rastet që nuk kanë kontratë, Rama thotë: Ka marrëveshje me noter, mes palësh apo me shtrëngim dore… mjafton që personat që kanë njërën nga këto marrëveshje të jenë me qira të deklaruar, pra që për këtë qira është paguar një detyrim, këta të gjithë do përfitojnë.

Sa u takon qiradhënësve që me qiratë që marrin çdo muaj jetojnë, atëherë do të ketë një vendim specifik “sepse këta janë persona që duhen ndihmuar“, tha kryeministri.