Transmetuar më 07-04-2020, 21:47

Një pacient me koronavirus në Britaninë e Madhe ka rrëfyer tmerrin që po sheh me sy dhe i ka bërë thirrje të gjithëve të qëndrojnë në shtëpi pranë të dashurve të tyre.

Burri i identifikuar si Craig Farley-Jones që është i shëndetshëm dhe pa sëmundje të tjera shoqëruese u trishtua nga fati i pacientëve të tjerë.

43-vjeçari dëgjoi një pacient rreth 70 vjeç duke përmendur emrat e familjarëve për dy orë para se të humbiste betejën me koronavirusin. Siç raporton ‘Daily Mirror’, Craig nga Greater Manchester bëri një reagim në rrjete sociale ditën që u shtrua në spital.

"Çdo njeri në pavion dukej sikur po vdiste, por burri pranë meje ishte rreth 65-70 vjeç ishte i qetë dhe fliste, ndonëse po mbahej me oksigjen. Po atë ditë, e pashë që kishte vështirësi të merrte frymë dhe filloi të përjetonte panik, e pashë që po stresohej dhe kërkova infermieret, por ishte thuajse e pamundur që ai të qetësohej. Ata i dhanë diçka për tu qetësuar dhe më pas filloi të thërriste fëmijët e tij. Dukej qartë se ishte dita e tij e fundit”, tregoi Craig.

Ndryshe nga rastet e tjera kur familjarët ndalohen që të hyjnë në spitalin ku ka të infektuar, fëmijët e personit që ishte pranë Craig u pajisën me maska dhe veshje speciale për ti dhënë lamtumirën babait.

Teksa rrëfen historinë, Craig thotë: “Pavarësisht kësaj, ai vazhdonte të bërtiste, duke thirrur familjarët e tij me emra, edhe pse kishte vështirësi në frymëmarrje. Ai më bëri të shpërtheja në lot, ishte e vështirë ta dëgjoja. I kërkova infermieret por më thanë se nuk kishin çfarë të bënin. Nuk është faji i mjekëve pasi bënë gjithçka mundën, por në disa raste nuk mjafton. Njerëzit duhet të dinë që kur shkon në spital, ekipi mjekësor bën gjithçka për ta larguar infeksionin që shoqërohet me virus. Por ata nuk arrijnë ta luftojnë virusin, kështu që nëse përfundon në spital, duhet të luftosh për veten”.

Pacienti përfundoi duke thënë se njerëzit duhet të qëndrojnë në shtëpi për personat e tyre të dashur./a.m/noa.al