Transmetuar më 07-04-2020, 22:37

Disa shifra tronditëse të pacientëve në Shtetet e Bashkuara tregojnë se njerëzit me ngjyrë janë më të rrezikuar për të vdekur nga koronavirusi.

Të dhënat theksojnë edhe pabarazinë që ka komuniteti i tyre ndaj kujdesit shëndetësor. Shifrat janë alarmuese në qytetet me numër të madh të personave që kanë origjinë afro-amerikane, si Chicago, New Orleans, Detroit dhe Milwaukee.

Këto qytete po kthehen në vatra të koronavirusit. Në Chicago, kryebashkiakja Lori Lightfoot tha se më shumë se gjysma e pacientëve që kishin ndërruar jetë nga koronavirusi ishin afro-amerikanë.

“Ne jemi të gjithë në krizë së bashku, por ne nuk po përjetojmë këtë krizë në të njëjtën mënyrë”, tha Lightfood, raporton Daily Mail.

72% e viktimave në Chicago janë njerëz me ngjyrë, të cilët ndërruan jetë nga përkeqësimi i sëmundjes dhe 52% e komunitetit të tyre rezultuan pozitivë ndaj koronavirusit.

Shumë shtete amerikane, përfshirë Nju Jorkun që është më i goditur, nuk kanë publikuar të dhëna demografike që tregojnë shifrat e viktimave bazuar në grupe të ndryshme racore./a.m/noa.al