Transmetuar më 08-04-2020, 01:17

Blerina Resuli, mjeke onkologe në Romë, e cila rezultoi pozitive me Covid-19 më 12 mars, ka treguar në A2 luftën e saj me virusin pandemik.

“Jam e bindur se kontakti ka qenë në punë, pasi numri i kolegëve të prekur aty ku punoj unë është i lartë. Duke qenë mjeke vetë, është më i lehtë menaxhimi i situatës. Nuk u shqetësova kur mora vesh lajmin, por isha më tepër e shqetësuar për familjarët e mi”, kujton mjekja.

Sipas saj, duke qenë se “në Itali nuk testohen personat që nuk kanë simptoma”, thjesht u izolua për të mos infektuar të afërmit.

Ajo thekson se pati simptoma të lehta fatmirësisht: “Pata simptoma të lehta dhe në rast të tillë, kur je nën 60 vjeç, thjesht monitoron temperaturën. Kam marrë vetëm paracetamol”.

Edhe pse tashmë ndihet mirë, mjekja Blerina Resuli thotë se do të bëjë edhe një testim tjetër përpara se t’i kthehet normalitetit.