Transmetuar më 08-04-2020, 02:17

Mjekët britanikë ishin të qartë mbrëmjen e kaluar; Boris Johnson nuk do të ishte zhvendosur në njësinë e terapisë intensive nëse nuk do të kishte qenë e nevojshme. Lëvizja shënon një përshkallëzim serioz në trajtimin e tij.

“Mjekët nuk i kalojnë pacientët në shtratin e terapisë intensive, vetëm për t’i mbajtur nën vëzhgim”, thotë Simon Clark, doktor në spitalin e Universitetit të Reading. Në këtë njësi, trajtohen të sëmurët më rëndë, dhe një sërë pajisjesh vlerësojnë çdo aspekt të trupit të pacientëve; nga rrahjet e zemrës, te temperatura dhe niveli i saktë i oksigjenit, që është një tregues kyç në përkeqësimin e sëmundjes.

Por edhe brenda terapisë intensive, disa pacientë janë më mirë se të tjerët. Burime të cituara nga “The Times” thanë se gjatë natës, Johnson kishte pasur nevojë për 4 litra oksigjen, krahasuar me 15 litrat që kërkojnë pacientët në gjendje kritike. Personat e trajtuar me sasi të tillë oksigjeni janë të vetëdijshëm dhe përmes një maske të shtrënguar fort, marrin me presion oksigjenin e nevojshëm për të mbajtur të hapura rrugët e frymëmarrjes.

Por, nëse kjo nuk do të mjaftojë, është i nevojshëm ventilimi mekanik, kur të sëmurët vihen në gjendje kome përmes qetësuesve, intubohen, dhe makineritë kryejnë procesin e frymëmarrjes. Gjithashtu, mbahen nën kontroll zemra, mushkëritë dhe organe të tjera.

Respiratorët, të cilët përdorin programe te sofistikuar dhe sensorë për rregullimin e nivelit të oksigjenit, mund t’u jepen pacientëve të vetëdijshëm, ose jo të vetëdijshëm.

Për kryeministrin britanik mund të përdoret makineria ECMO, një pajisje e specializuar, që është më e sofistikuar se respiratori. “Saint Thomas”, është një prej 6 spitaleve britanike që kanë këtë lloj pajisje. Trajtimi kushton 45 mijë paund dhe shërimi është më i lehtë, pasi i jep kohë mushkërive të rikthehen në normalitet.