Transmetuar më 08-04-2020, 20:15

Shqipëria ka në dispozicion 304 respiratorë, aq të domosdoshëm për tu përballur me emergjencën e koronavirusit.

Pajisjet që ndihmojnë për të mbajtur në jetë pacientët më në rrezik, duket se momentalisht janë të mjaftueshme për përballimin e rasteve të të prekurve.

Ky fakt u komunikua mbrëmjen e sotme nga Kryeministri Edi Rama, duke iu përgjigjur pyetjeve të qytetarëve nga komunikimi i tij online.

“Ne kemi sot 200 respiratorë gjendje, plus 54 të rinj dhe 30 të tjerë që janë rrugës, plus 20 në paketën e parë të ndihmës së Bashkimit Europian, në total janë 304 në dispozicion. Në respiratorë ne sot kemi vetëm katër veta”, u shpreh Rama.

Ai tha se Shqipëria është vendi në Europë me më pak persona të intubuar dhe me përqindje shtretërish që është më e larta.

Kreu i qeverisë detajoi se janë 310 krevatë në dispozicion te spitali Infektiv dhe Sanatoriumi dhe se momentalisht janë të zënë vetëm 23% e tyre.

Lidhur me testet që po kryhen dhe kërkesën e Partisë Demokratike për testim në masë, ai shtoi se “Nëse do të thonin na duhen 2 mijë teste në ditë, ne aq do të kishim. Në këtë luftë jam përgatitur për gjithçka, çdo gjë që do i duhet nuk do i mungojë Shqipërisë edhe nëse do të jetë prapa diellit”.

Sakaq për zgjerimin e paketës së mbështetjes bëri me dije se për berberët që janë mbyllur dhe ata do të marrin pagën përkatëse dhe do të jetë pjesë e paketës së zgjeruar brenda 15 majit.

Ndër të tjera tha se linjat ajrore do të hapen kur kjo situatë të ketë kaluar.

“Baret janë të fundit, kur të hapen do të thotë se do të festojmë. Hidraulikë, agjenci turistike, dizajner, taksixhi etj., do të jenë pjesë e zgjerimit të paketës së mbështetjes” deklaroi kreu i qeverisë. /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE