Transmetuar më 13-04-2020, 02:20

Ndërsa shqiptarët prej më shumë se një muaji janë nën karantinë ekstreme, Infektivi prej disa ditësh fatmirësisht shënon rënie të ndjeshme të të shtruarve. Atje ka aktualisht 41 të shtruar –  afro gjysma e shifrave të marsit, ose më pak se çdo periudhë tjetër e vitit.

Duket se kjo situatë ka lënë "pa punë" ndonjë mjek, duke arritur në përfshirje debati politik përballë publikut. Mjeku Tritan Kalo në një publikim të gjatë pasditen e së dielës në rrjete sociale, bën vlerësime ndaj politikës duke shprehur vlerësim për qeverisjen aktuale dhe përçmim e akuza për pararendësit e Ramës.

Në tekstin e gjatë mbushur me akuza ndaj atyre që kanë drejtuar deri para qeverisë Rama ministrinë e Shëndetësisë dhe QSUT, z.Kalo shkruan: "MANTELBARDHËVE…..POLITIKANËT rrënimtarë të Shëndetësisë Publike të pas 31 Marsit 1991 të të dy krahëve të politikës, si dhe ata drejtues jo vizionarë të QSUT “Nënë Tereza” të pas 1993, së paku DUHET TË HESHTIN në këto kohë COVIDIANE….ISHIN MEDIOKRITETI dhe PARTITIZMI i tyre, ato që e dëmtuan në themel strukturën mirë-funksionale në aspektin EPIDEMIOLOGJIK dhe jo vetëm, të të vetmit Shërbim Kombëtar të Sëmundjeve Infektive në Shqipëri, atë që njihej para viteve 1990 si Spitali Infektiv nr.4….."

Në vijim Kalo shton: "PULITIKANËT tanë në këto 30 vitet e fundit, shpesh njëlloj si edhe pulat e kanë futur “sqepin e tyre në të njëjtin ushqim”, duke prodhuar më pas politika jo të mbara, aromëmbytëse dhe rrënuese së paku për Lëmin e Përkujdesjes dhe Ndjekjes së të sëmurëve me Sëmundje Infektive, sektor në të cilën unë kuntribuoj që prej 2 Korrikut 1981…".

Nga ana tjetër, z.Kalo jep konsideratat e tij për drejtuesit aktualë në vend: "SOT me ndërhyrjet që po bëhen edhe pse disi të vonuara e të cilat DUHEN shpënë më tej, SHPRESOJ se do të bëhet e mundshme që jo larg në kohë, të korrigjohen këto ndërhyrje të gabuara, si dhe të bëhet e mundur që Shërbimi Kombëtar i Sëmundjeve Infektive të plotësohet me të gjithë infrastrukturën e nevojshme të FUNKSIONALITETIT të tij".

Në këtë pikë është e paqartë përse është kaq i shqetësuar Tritan Kalo dhe pse mjekësia duhet  përfshirë edhe ajo në vorbullën politike? /noa.al/