Transmetuar më 01-05-2020, 23:06

Edhe këtë triditësh të fundit të javës, për herë të tretë, shqiptarët nisën të mbyllen në shtëpitë e tyre duke nisur nga ora 17.30 e të premtes dhe mund të dalin që andej vetëm të hënën në mëngjes.

Ndërkohë, liderët e lartë të shtetit, këtë të premte nisën të shijojnë frutet e fundjavës duke thithur ajrin e pastër të jugut.

Presidenti Ilir Meta pas një serie shëtitjesh në vende piktoreske të Shqipërisë, sot shkoi në Kolonjë. Ai u shpreh i mahnitur nga ajri i pastër: "Ngjitja në malin e mrekullueshëm të Shelegurit në Kolonjë të jep një kënaqësi të paparë", – thotë Meta në videon që shikoni më poshtë.  Më herët sot, që pa gdhirë Meta ishte në një tjetër zonë të thellë të jugut shqiptar. "Mirëmëngjes nga Sheleguri, ky vend i mrekullueshëm midis Leskovikut dhe Ersekës! Ju uroj të gjithëve një fundjavë të mbarë!", – ishte urimi i Metës për shqiptarët, që hynë në javën e nëntë të karantinës dhe fundjavën e radhës të kyçur totalisht brenda. Fundjava e gjatë e Metës nisi që të enjten, kur ai u gjend në Këlcyrë ku krahas kësaj fotoje, shkruante: "Vjosa, lumi i fundit i egër në Europë, është një trashëgimi natyrore me rëndësi të jashtëzakonshme dhe potencial të madh turistik. E duam Vjosën dhe duhet ta mbrojmë! Nga Këlcyra ju uroj të gjithëve një mbrëmje të këndshme".

Sakaq kryeministri Edi Rama duket se iu rikthye rutinës së shtatë viteve të fundit. Çdo prag fundjave, ai shkonte në axhenda qeveritare kryesisht në jug dhe juglindje dhe, pasi mbaronte ato, shijonte fundjavat me familjen.

Këtë të premte, Rama shkoi në Fier e mandej në Vlorë dhe pasdite vonë, "i bëri neps" shqiptarëve me një foto teksa kundronte detin e Vlorës duke shijuar pamjen e mrekullueshme dhe ajrin e pastër nga Radhima. /noa.al/