Transmetuar më 08-05-2020, 22:04

Qeveria i ka kaluar në pronësi Bashkisë së Tiranës godinën e Teatrit Kombëtar si dhe sipërfaqen e tokës rreth tij. Vendimi është publikuar nga Fletoren Zyrtare dhe ky kalim është bërë me kushtin për ndërtimin e një godine të re.

Krahas kësaj, është vendosur një klauzolë që Bashkia e Tiranës nuk mund ta shfrytëzoj hapësirën për qëllime të tjera, apo t’ia japë për shfrytëzim palëve të treta. Në pikën dy të vendimit përcaktohet se: "Bashkisë Tiranë ndalohet të ndryshojë destinacionin e pasurisë së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë atë apo t’ua japë në përdorim të tretëve." Vendimi i Këshillit të Ministrave mban datën 8 maj dhe i hap rrugë shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar.

Fati i godinës së Teatrit Kombëtar ka qenë një mister për më shumë se dy vjet. Gjithçka nisi me një plan të qeverisë së kryeministrit Rama për të prishur godinën e vjetër dhe ta kthente atë në një godinë bashkëkohore dhe moderne që i përshtatej kohës. Por jo të gjithë ishin dakord me planin. Disa artistë kërkonin rikonstruksionin e godinës së vjetër dhe shpalljen e saj monument kulture. Disa të tjerë ishin në të njëjtin mendim me kryeministrin Rama.

Fusha sh.p.k ishte kompania e cila mori përsipër ndërtimin e Teatrit Kombëtar dhe në këmbim të këtij investimi, ajo do të ndërtonte 6 kulla në truallin që i përkiste teatrit. Në Parlament u kalua një ligj që i jepte të drejtën kësaj kompanie të paraqiste ofertën e cila do të shqyrtohej nga një komision shtetëror. Ligji, i rrëzuar nga Presidenti, u shqyrtua dhe nga Bashkimi Evropian, i cili solli rekomandimin e tij ku pjesa kryesore ishte hapja e garës dhe jo paracaktimi i kompanisë që do ta ndërtonte.

Pas këtij opinioni, qeveria miratoi një ligj tjetër ku hapte garën, por përsëri ligji i ri u rrëzua nga Presidenti, i cili e dërgoi edhe në Gjykatën Kushtetuese. Në këtë çështje është përfshirë edhe OSBE, e cila bëri thirrje për transparencë në garë, por edhe Europa Nostra, zëri evropian i shoqërisë civile, e angazhuar në trashëgiminë kulturore, që u shpreh e shqetësuar nga planet alarmante për të prishur Teatrin Kombëtar.

Në një moment u duk sikur qeveria ishte e vendosur tashmë për të prishur ndërtesën. Në korrik të 2019 ajo dërgoi forcat e policisë për ta rrethuar godinën. Ajo ishte dita kur për herë të parë do të shihnim një përleshje mes policisë dhe artistëve. Artistët të cilët vendosën që kauzën e tyre në mbrojtje të teatrit ta çonin deri në fund krijuan Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit. Nga data 8 shkurt e 2018-s, ata protestuan çdo ditë. Pas shumë sfidash dhe pas plot dy vjetësh qëndresë, Bashkia e Tiranës njoftoi tërheqjen nga projekti i ndërtimit të teatrit me PPP, dhe shpreh se do ta ndërtojë me fondet e shtetit. Por edhe pas këtij njoftimi, disa nga artistët nuk janë dakord për vet faktin se ata i qëndrojnë opinionit të tyre se godina nuk duhet shembur, por duhet rikonstruktuar.

Në fund të muajit shkurt, kreu i Bashkisë së Tiranës në intervistë për Euronews Albania tha se, teatri i ri do të ndërtohet me fond të buxhetit të shtetit dhe bashikisë dhe se marrëveshja e kompaninë private nuk u arrit për shkak të kërkesës së qeverisë për një sallë shumë moderne dhe një tjetër rotative si në Broduej. Ndërkohë vetëm dy ditë më parë, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit paditi në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) Kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj dhe nënkryetarin Arbjan Mazniku. Pesëmbëdhjetë artistë dhe aktivistë e kanë paditur Veliajn dhe Maznikun për shpërdorim detyre dhe korrupsion rreth projektit të ndërtimit të teatrit të ri.