Transmetuar më 09-05-2020, 23:03

Shifrat që ka Shqipëria në lidhje me të prekurit nga koronavirusi e klasifikojnë atë në sytë e agjencive të huaja të turizmit si një vend të sigurt.

Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, tha se mbeten për t’u parë vendimet që do të marrë Bashkimi Europian në lidhje me kufijtë.

Sipas tij, në çdo moment që do të merret një vendim, qoftë dhe për të autorizuar fluturimet, strukturat akomoduese janë të gatshme të presin turistët duke përshtatur çdo kërkesë, sipas protokolleve ndërkombëtare.

Situata me koronavirusin vijon të mbetet e paqartë. Nga kontaktet që keni me partnerët tuaj të huaj, çfarë përshtypjesh keni marrë? A do të kemi turistë të huaj këtë vit nga vendet nordike apo polakë dhe çekë?

 Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe të rregullt me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe nga ajo çka na kanë komunikuar janë gati të vijnë pas dy javësh, pra në mes të majit. Por mbyllja e kufijve mbetet problem. Është një vendim i përbashkët që i takon Bashkimit Europian. Përtej kësaj, ne kemi punuar me një skenar, sikur do të kemi turistë dhe kemi bërë gati strukturat.

Shqipëria ka qenë e shitur si paketë nga agjencitë e huaja në 70% të kapaciteteve të rezervuara para situatës së koronavirusit. Një pjesë e kompanive kanë bërë anulime të këtyre rezervimeve. Mbetet ende edhe një grup që nuk ka marrë ndonjë vendim, që do të thotë se i kanë paketat aktive.

Ne jemi në pritje të plotësimit të manualeve dhe protokolleve që kërkohen për këtë sektor, pasi duhet kuptuar se këtë vit nuk do të kemi një turizëm normal. Do të jetë një turizëm shëndetësor, me regjim ushtarak dhe këtë e them për rregullat e përpikta që duhet të zbatohen.

Si po i përshtasni kërkesat që lidhen me rregullat e reja të turizmit në kushtet ku po jetojmë, për trajnimin e stafit apo përshtatjen e ambienteve dhe logjistikës?

Ne si Union kemi theksuar veçanërisht zhvillimin e turizmit brenda rregullave dhe përshtatja e stafeve me këto kushte të reja, ndaj kemi nisur edhe trajnimet. Nëpërmjet manualeve që kemi, të cilat na janë bërë të njohura edhe nga ministritë, ne po përpiqemi të kemi gjithçka gati që në qershor, nëse ka një dritë të gjelbër nga Bashkimi Europian për kufijtë, të jemi të hapur dhe të tërheqim turistët e parë. Qeveria është angazhuar të nisë një letër në vendet e Bashkimit Europian nga ku ne kemi pjesën më të madhe të turistëve për t’ju thënë se jemi gati dhe kemi kushtet për të pritur turistët e huaj. Kjo është një lloj garancie për të dhënë më shumë siguri.

Kur interesohen për Shqipërinë, ku përqendrohen më shumë agjencitë e huaja turistike?

 Ne jemi në kontakt në baza ditore dhe interesi i tyre parësor janë shifrat e situatës së COVID-19 në vendin tonë. Nga shifrat që ne kemi, ata e cilësojnë Shqipërinë si një vend të sigurt. Pika e dytë e rëndësishme për ta është plotësimi i infrastrukturës, mbështetur në rekomandimet dhe protokollet e Organizatës Botërore të Shëndetit, me qëllim që të mos hasen probleme gjatë operimit. Të mos kemi vatra të reja, në mënyrë që klientët të ndihen sa më të sigurt. Po kështu, kërkohet që të ketë një numër emergjence, si dhe një mjek brenda strukturës akomoduese, me qëllim që të konsultohen simptomat nëse janë normale apo mund të cilësohen si COVID-19. Të jetë në gatishmëri ambienti i izolimit për çdo rast.

Një kërkesë e Unionit ka qenë mundësia për të rritur hapësirën e plazhit për operatorët. Si do të funksionojë pjesa e distancave dhe si i shihni mundësitë për këtë pjesë, pasi bregdeti menaxhohet nga bashkitë?

Këtë vit, siç e thamë, turizmi nuk do jetë normal ndaj do të duhet të respektojmë distancat kudo, edhe në breg të detit. Janë disa skema të caktuara për pjesën e plazhit, ku çadrat do të vendosen në distancë 3.5 metra nga rreshti në rresht dhe nga çadra në çadër, që do të thotë se në një hapësirë ku dikur lejoheshin 28 çadra, tani do të jenë 18. Ne kemi lënë që ta diskutojmë mundësinë për rritjen e hapësirave të strukturave hoteliere me pushtetin lokal dhe unë do ta nis nga Saranda, për të folur për këtë e më pas me të gjithë. Një pjesë e plazheve, sipas ligjit, janë ndarë në një fazë të parë, por do të shohim hapësirat ku mund të ketë ndonjë lehtësim. Pak a shumë do të duhet një rritje 30% e hapësirave.

Qeveria ka zbatuar dy paketa mbështetëse në kuadër të situatës së krijuar nga COVID-19 në vend. Si mendoni se është trajtuar turizmi me këto paketa dhe a mendoni se duhet të kishte një paketë më të dedikuar për sektorin?

 Nuk është e mjaftueshme dhe kjo është e qartë. Pavarësisht se biznesi i vogël ka një përfitim të drejtpërdrejtë sa i takon përfitimit të pagës dhe shtyrjes së tatimeve dhe taksave, nuk duhet të harrojmë që biznesi i vogël i turizmit në Shqipëri zë një përqindje të vogël po ta krahasosh me të madhin. Një biznes i vogël në turizëm ka qarkullim deri në 14 milionë lekë, por një biznes i madh varion mes 2-5 milionë euro dhe normalisht edhe përqindja që zënë në ekonomi është shumë e ndryshme.

Por biznesi i madh nuk ka përfituar. Kemi një udhëzim, i cili thotë se ata që janë në listëpagesa aktive mund të përfitojnë, por nuk kemi ndonjë rezultat të kënaqshëm. Ka shumë ankesa se kjo ndihmë u refuzohet dhe se ka seleksionime. Besoj se do të ishte më e udhës që të ishte përdorur skema e Maqedonisë dhe për të gjithë kompanitë që rezultuan me një rënie të xhiros 30% t’ju paguhej paga minimale.

Protokollet e sigurisë vendosin kërkesa të larta të higjienës e distancave. A mendoni se do të arrijnë t’i përmbushin të gjithë strukturat këto kërkesa, pasi nuk duhet të harrojmë që ka edhe struktura të vogla që funksionojnë si biznese familjare?

Mbijetesa këtë vit do të jetë e vështirë për gjithë sektorin. Por kur flasim për strukturat akomoduese, janë një sërë faktorësh që merren parasysh ku së pari varet sa likuiditet kanë pasur gjendje. Mendoj se ato struktura që janë në fazë investimi e me borxhe, pra që kanë pasur financa të dobëta, do ta kenë të vështirë të përballojnë këtë vit./Monitor/