Transmetuar më 20-05-2020, 22:28

Qeveria shqiptare po bën ndryshime të reja në Buxhetin e Shtetit për vitin në vazhdim duke bërë shkurtime në shumë shpenzime dhe investime publike.

Ndryshimi i fundit i buxhetit reflekton në masën 7 miliardë lekë dhe përfshin reduktim të shpenzimeve buxhetore, korrente dhe kapitale, për vitin 2020.

Noa mëson se bëhet fjalë për reduktime në shpenzimet operative, investime publike, kryesisht ato me financim të brendshëm, si edhe reduktim të mbështetjes korrente buxhetore të disa PPP.

Qeveria kërkon të sigurojë se gjithsesi po ruan të pandryshuar nivelet e deficitit buxhetor.

Ndërkohë që në aktin e ri normativ, që do të duhet të jetë gati të paktën ne fillim të muajit të ardhshëm, do të merren në konsideratë edhe disa kërkesa të tjera për financim nga buxheti sikundër janë paga e ashtuquajtur e “luftës” për jo më pas se 5 mijë punonjës që kanë humbur punën pas datës 10 Prill 2020 dhe që nuk përfshiheshin në paketën e dytë sociale anti-COVID.

Ndërkohë buxheti i shtetit vijon të paguajë edhe dy këstet e mbetura të pagës minimale në vlerën prej 26 mijë lekë në muaj për rreth 66 mijë punonjës që iu ishin mbyllur ndërmarrjet me urdhër të qeverisë si dhe është duke paguar edhe rreth 27 mijë prej tyre, të cilët kanë filluar punën duke nisur nga data 27 prill 2020.

Burime zyrtare nga kabineti qeveritar kanë konfirmuar se dëmi ekonomik këtë vit, në shifra të prodhimit të brendshëm bruto, mund të shkojë gati 1 miliard dollarë dhe ky dëm do të transferohet tek ndërmarrjet.

Qeveria po diskuton një plan, i cili do të ndihmonte rimëkëmbjen e ekonomisë. Sipas ministrit Ahmetaj, një “Paketë e tretë është ajo e rimëkëmbjes ekonomike, me injektim në sektor. Po diskutohet instrumenti i tretë i garancisë për të ndihmuar prodhimin dhe turizimin”, tha Ahmetaj. Kjo paketë, parashikohet të jetë gati në fund të muajit qershor.